F1/ Antonelli shkëlqen në Bahrein! Rookieu i “Mercedes”-it regjistron kohën më të shpejtë në teste
Andrea Kimi Antonelli kryeson sesionin e parë të testeve të Bahreinit, duke shënuar kohën më të shpejtë. Pas tij renditen Liam Lawson me Red Bull dhe Alexander Albon me Williams, ndërsa Lewis Hamilton e mbyll mëngjesin në vendin e pestë.
Andrea Kimi Antonelli ka dhënë sinjale premtuese në debutimin e tij në testet e Bahreinit, duke regjistruar kohën më të shpejtë në katër orët e para të provave. Piloti italian i ri i Mercedes-it shënoi 1 minutë, 31 sekonda e 428 të mijtat, duke kryesuar klasifikimin e sesionit të mëngjesit.
Liam Lawson me Red Bull e ndoqi nga afër me një diferencë prej vetëm 132 të mijtave, ndërsa Alexander Albon me Williams-Mercedes qëndroi i treti, vetëm 13 të mijtat pas neozelandezit.
Yuki Tsunoda (VISA Cash App Racing Bulls) dhe Lewis Hamilton me Ferrarin e plotësuan pesëshen e parë, me britanikun që shënoi një vonesë prej 406 të mijtave ndaj kohës më të mirë të Antonellit.
Në top dhjetëshe u renditën gjithashtu Jack Doohan (Alpine), Fernando Alonso (Aston Martin-Mercedes), Oscar Piastri (McLaren-Mercedes), Nico Hülkenberg (Sauber) dhe Oliver Bearman (Haas-Ferrari).
Mëngjesi i ditës së parë të testimeve në "Formula 1" solli kushte të vështira, me temperatura të ulëta dhe erëra të forta që përhapën rërë në asfalt, duke sfiduar pilotët.
Ferrari nisi sesionin me Lewis Hamilton në pistë, përballë Antonellit me Mercedes dhe Lawsonit me Red Bull, i cili pësoi një testacodë të vogël një orë para përfundimit të sesionit të mëngjesit. Ndërkohë, emra të tillë si Charles Leclerc, George Russell dhe kampioni në fuqi Max Verstappen mbetën në bokse, në pritje të daljes së tyre në pistë.

