Lagjja e Rindërtimit “5 Maji”/ Rama inspektim me kryetaren e deleguar Ristani: Shembëlltyrë e Rilindjes pas tërmetit

Në lagjen “5 maji” në kryeqytet, ku jeta e 428 familjeve ka ndryshuar plotësisht me hyrjen në apartamentet e reja pas tërmetit, – puna transformuese po vijon me fazën e tretë të projektit për rikonstruksionin e rrugëve kryesore ekzistuese, që përfshin zgjerimin e tyre, krijimin e trotuareve, instalimin e sistemeve elektrike, të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, sinjalistikë, ndriçim etj.

Një qendër e re e Tiranës po merr jetë me infrastrukturë të kompletuar, shërbime të plota e hapësira të bukura publike.

Për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punëve, Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren në njësitë administrative 4 dhe 8 të kësaj lagjeje, i shoqëruar nga nënkryetarja e Bashkisë Anuela Ristani.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi lagjen e Rindërtimit “5 Maji”, në Tiranë, të cilën e cilësoi “shembëlltyrë e Rilindjes pas tërmetit”.

Kryeministri pa nga afër këtë lagje, ku jeta e 428 familjeve ka ndryshuar plotësisht, e ku po merr jetë një tjetër qendër e re e Tiranës, me shërbime të plota e hapësira të bukura publike.

Në një takim me banorët e zonës, Rama u shpreh se tashmë janë shpërndarë edhe njësitë e shërbimit dhe gjithë lagjja po merr jetë.

“Unazën e Re ja ku e keni, do të lidheni pastaj vjen edhe autobusi”, iu drejtua Rama banorëve.

Ndërsa, Ristani informoi se aktualisht po ndërtohet infrastruktura mbështetëse, pasi janë dorëzuar 428 apartamente.

“Ka ngelur më pak se 40% e banorët që do të përfitojnë si efekt i shpronësimit, që na kanë ndihmuar të lirojmë territorin për infrastrukturën. Po realizojmë rrugën mbështetëse për qarkullimin me gjatësi 1 kilometër. Rruga do të jetë me trotuare dhe korsi biçikletash gjithashtu”, tha Ristani.

Ndërkohë, Ristani informoi se po vazhdohet edhe me shpronësime dhe shembje në segmentin që lidhet me bulevardin. Sipas saj, rruga do të funksionojë jo vetëm për banorët e kësaj lagjeje, por për gjithë zonën.

Sipas saj, lagjja është tashmë e kompletuar me shkollë dhe qendër sociale për fëmijët e familjeve vulnerabël.

Ndërkohë banorët falënderuan kryeministrin, ndërsa nuk munguan edhe batutat.

“10 veta të kishim si ju kryeministër dhe ne do ishim ku e ku”, u shpreh një qytetare.

“Nuk i kërkohet dot nënës time t’i bënte 10 si puna ime sepse edhe mua që më bëri bashkë me vëllain i doli me telashe të mëdha”, iu përgjigj Rama me batutë.

Në takimin me disa prej banorëve të lagjes, kryeministri tha se falë mbarëvajtjes së punës në këtë zonë, ajo do të bëhet si një qendër e re e Tiranës. “Këtu ka ecur shumë mirë sepse këtu, ne nuk kemi patur të njëjtin problem që kemi patur me Kombinatin. Në Kombinat na janë krijuar pengesa të mëdha artificiale, qoftë nga disa masha që i futi politika për të penguar, qoftë nga disa gjykatës të papërgjegjshëm që morën masa sigurie për të ndaluar prishjet dhe për të ndaluar shpronësimin. Kështu që, në Kombinat jemi më mbrapa për fat të keq, por jo për faj të bashkisë, ose për ndonjë gjë që e kemi lënë mangët. Kurse këtu jemi shumë mirë dhe kjo këtu do të bëhet një lagje model, si një qendër e re e Tiranës”, u shpreh Rama.