OKB dhe OBSH: Lironi mjekët! 297 bluza të bardha janë arrestuar në Gaza që nga fillimi i luftës
Qindra mjekë të Gazës mbahen në burgjet izraelite mes pretendimeve për tortura. OKB-ja bën thirrje për lirimin e atyre që janë ende dhomat e paraburgimit.
620 palestinezë, të cilët duhet të ishin liruar nga autoritetet izraelite në zbatim të marrëveshjes për armëpushim ndodhen ende në burgje.
Por teksa ende nuk dihet se çfarë do të ndohë me ta, OBSH ka shprehur shqetësimin se 297 punonjës të kujdesit shëndetësor në Gaza janë arrestuar nga ushtria izraelite që nga fillimi i luftës, por nuk ka të dhëna të përditësuara se sa prej tyre janë liruar ose mbeten në paraburgim.
Nisur nga këto raste zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se Izraeli duhet të lirojë menjëherë stafin mjekësor të mbajtur në mënyrë arbitrare dhe t'i japë fund të gjitha praktikave që përbëjnë, tortura dhe keqtrajtime të tjera.
Sipas konventave të Gjenevës, grupi i ligjeve ndërkombëtare që kontrollon sjelljen e palëve ndërluftuese,thotë se mjekët duhet të mbrohen, të mos jenë në shënjestër ose të sulmohen gjatë konfliktit dhe duhet të lejohen të vazhdojnë të ofrojnë kujdes mjekësor për ata që kanë nevojë.
Nga ana tjetër sipas ligjit ndërkombëtar, objektet e kujdesit shëndetësor mund të humbasin statusin e tyre të mbrojtur dhe të bëhen objektiva ushtarakë nëse ato përdoren si objekte mbështetëse në funksion të konfliktit.
Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, thotë se deri më sot Izraeli nuk ka arritur ti vërtetojë këto pretendime edhe pse ka ngritur shpesh akuza se Hamas i përdorte këto hapësira si mburojë njerëzore.

