Egjipti refuzon propozimet për zhvendosjen e palestinezëve

Egjipti kundërshton propozimet për të zhvendosur popullin palestinez, në mënyrë që të mos "likuidohet" kauza palestineze dhe për të shmangur kërcënimin e sigurisë kombëtare të vendeve në rajon, tha presidenca egjiptiane në një deklaratë të martën.

Presidenti amerikan Donald Trump ka zemëruar botën arabe me një plam për të zhvendosur përgjithmonë popullsinë prej më shumë se 2 milionë palestinezësh nga Gaza, për të vendosur kontrollin e SHBA-së mbi territorin dhe për ta kthyer atë në një vendpushim plazhi ndërkombëtar.

Egjipti do të presë më 4 mars një samit urgjent të Ligës Arabe, i cili do të fokusohet në përpjekjet arabe për të kundërshtuar planin e Trump, dhe thirrjet që Egjipti dhe Jordania të rivendosin palestinezët e zhvendosur nga Gaza. Të dy vendet e kundërshtojnë propozimin, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.

Udhëheqësit arabë zhvilluan një takim të premten në Riad ku morën pjesë shtetet e Gjirit, Egjipti dhe Jordania. Burime të njohura me diskutimet thanë se ata trajtuan një propozim kryesisht egjiptian, që mund të përfshinte deri në 20 miliardë dollarë financime për tre vjet nga vendet e Gjirit dhe arabe, por nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar.

Palestinezët kanë frikë nga një përsëritje e ‘Nakba’, ose katastrofës, gjatë së cilës qindra mijëra palestinezë të tjerë u dëbuan ose u larguan nga atdheu i tyre,  rreth kohës së krijimit të shtetit të Izraelit më 1948./ Reuters.