Ish-presidenti iranian bën thirrje për bisedime me SHBA-në
Mohammad Khatami, ish-president – i afërt me presidentin Masoud Pezeshkian ka bërë thirrje për bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme të liderit suprem të vendit.
“Negociatat dhe dialogu nuk do të thotë t’i përkulesh shantazhit dhe fuqisë së armikut”, tha Khatami për portalin “Jamaran”.
Khatami, ashtu si Pezeshkian, i përket kampit reformist, i cili kërkon marrëdhënie më të mira me Perëndimin.
Anëtarët e fraksioneve më konservatore të Iranit reaguan menjëherë me kritika, duke vënë në pikëpyetje synimet e SHBA-së në një editorial në gazetën “Kayhan”, e cila konsiderohet si zëdhënëse për konservatorët e vendit.
Autorët vunë në pikëpyetje nëse Khatami interesohej vërtet për popullin iranian apo po vepronte si një ushtar dhe përfaqësues i interesave të ekipit të presidentit amerikan Donald Trump.
Në fillim të shkurtit, Trump bëri thirrje sërish për bisedime lidhur me mosmarrëveshjen për programin bërthamor të Iranit.
Pezeshkian sinjalizoi gatishmërinë e tij për t’u përfshirë në negociata, por udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei – i cili ka fjalën e fundit për çështjet strategjike – e hodhi poshtë kategorikisht perspektivën, duke thënë se armikut kryesor nuk mund t’i besohej.
Në vitin 2018, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 e arritur në Vjenë, e cila synonte kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve.
Si përgjigje, Teherani u tërhoq nga marrëveshja, rriti pasurimin e uraniumit dhe kufizoi kontrollet në objektet e tij bërthamore.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump ka treguar afrimitet ndaj Rusisë duke shkaktuar zemërim te ish-aleatët evropianë, duke sugjeruar një ndryshim të përgjithshëm në rendin e mëparshëm botëror. Rusia dhe Irani, aktualisht janë vende aleate.

