Turqia, e gatshme të presë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë! Ministri i Jashtëm: Kjo luftë po ndikon negativisht

Ditën e djeshme, në përvjetorin e tretë të fillimit të luftës, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan deklaroi gatishmërinë e Turqisë për të pritur bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Ne jemi gati të ofrojmë të gjitha llojet e mbështetjes për vendosjen e paqes përmes bisedimeve. Ne jemi gati të presim bisedimet siç bëmë më parë,” tha Fidan në një konferencë të përbashkët shtypi në Ankara me homologun e tij rus Sergej Lavrov.

“Ne duam që të dy fqinjët tanë të jetojnë në paqe, qetësi dhe prosperitet. Ne duam që shkatërrimi i shkaktuar nga lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Fidan. “Kjo luftë po ndikon negativisht… Shpresojmë që kjo krizë shumëdimensionale tani të sillet në një zgjidhje të përhershme”.

Ai gjithashtu nënvizoi mbështetjen e Turqisë për përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, duke i quajtur ato një “qasje të orientuar drejt rezultatit”.

“Ne besojmë se një zgjidhje mund të arrihet përmes negociatave që përfshijnë të dyja palët,” tha ai.

“Në këtë kontekst, ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha llojet e mbështetjes për të ndërtuar paqen përmes negociatave. Ne jemi të gatshëm të presim bisedimet siç kemi bërë më parë.”

Lavrov, nga ana e tij, theksoi vazhdimësinë e marrëdhënieve Turqi-Rusi “pavarësisht tensioneve gjeopolitike”.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet tona me partnerët tanë amerikanë,” tha ai, duke shtuar se operacioni ushtarak i Rusisë mund të ndalet nëse negociatat japin një rezultat të kënaqshëm.

Ndërkohë, presidenti Recep Tayyip Erdoğan ripohoi angazhimin e Turqisë për të ndjekur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

“Rruga drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme mund të hapet vetëm me një ekuacion në të cilin të dyja palët e luftës përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë,” tha Erdogan në një videomesazh në Samitin e Krimesë.

Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e fortë të Turqisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

“Ne të gjithë kemi përgjegjësi të rëndësishme për të shënuar përvjetorin e paqes, jo të luftës, vitin e ardhshëm,” tha ai.