‘Po zhvillon një sezon si Messi dhe Ronaldo’, ish-i i Liverpoolit ‘ngre në qiell’ Salah

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh fjalët e duhura për atë që po bën Mohamed Salah këtë sezon. Sulmuesi egjiptian i Liverpoolit ka arritur tashmë 30 gola dhe 21 asistime në 38 ndeshje.

Por ka nga ata që e përshkruajnë në mënyrë të thjeshtë atë që po bën 32-vjeçari, i cili është në vitin e fundit të kontratës me “The Reds”:

"Po zhvillon një sezon si ai i Messit dhe Cristiano Ronaldos."

Një krahasim i thjeshtë, por që thotë shumë, dhe që është bërë nga Jamie Carragher, ish-lojtar i Liverpoolit dhe aktualisht komentator në ‘Sky Sports’.

"Ky do të përfundojë si sezoni më i mirë që kemi parë ndonjëherë nga një lojtar, nuk kam asnjë dyshim për këtë," tha ai, duke iu referuar pjesëmarrjes së Salah në gola në historinë e Premier League.

Statistikat tregojnë se Alan Shearer dhe Andy Cole mbajnë rekordin aktual, me 47 gola të ndikuar (gola + asistime).

Ndërkohë, Salah ka 41 në kampionat (25 gola dhe 16 asistime), por Carragher beson se dy legjendat angleze do të tejkalohen.

"Nuk është vetëm fakti që ai do të kalojë këta lojtarë, por ai ndoshta do ta vendosë kufirin aq lart sa që askush tjetër në të ardhmen nuk do të mund ta arrijë," tha ai, duke përmbledhur:

"Po jemi duke parë diçka të jashtëzakonshme."