Manchester United në krizë të thellë, problemet në sulm dhe dështimi i dyshes Hojlund-Zirkzee

Manchester United po përjeton një krizë të thellë dhe një nga arsyet kryesore është mungesa e produktivitetit në sulm.

Rasmus Hojlund (22 vjeç, Danimarkë) dhe Joshua Zirkzee (23 vjeç, Holandë) nuk po përmbushin pritshmëritë, duke kontribuar në krizën e ‘Red Devils’ këtë sezon.

Një problem i madh për një klub që ndër vite ka pasur sulmues të mëdhenj si Ruud van Nistelrooy, Dimitar Berbatov, Robin van Persie dhe Cristiano Ronaldo.

Hojlund ishte një nga investimet më të mëdha një vit e gjysmë më parë, Manchester United pagoi rreth 75 milionë euro tek Atalanta për të siguruar shërbimet e tij.

Megjithatë, ndikimi i tij ka qenë shumë larg pritshmërive: vetëm dy gola në 21 ndeshje të Premier League.

Sulmuesi danez po has vështirësi për të gjetur rrugën e rrjetës dhe po përballet me më shumë sfida sesa pritej për t’u përshtatur me futbollin anglez.

Situatë e ngjashme edhe për Zirkzee, i cili ka shënuar vetëm tre gola në 26 paraqitje. Holandezi dha shenja premtuese me një debutim të shkëlqyer në gusht dhe një dopietë ndaj Everton në dhjetor, por që nga ajo kohë ka hyrë në një fazë të gjatë “agjërimi” për gola.

Gabimet para portës, rastet e shpërdoruara dhe paraqitjet e zbehta e kanë vendosur atë në shënjestër të kritikave.

Fillimisht, strategjia e klubit ishte të mbështetej te dy talentë të rinj me potencial të madh, por tani mungesa e tyre e efikasitetit po ndikon negativisht në rezultatet e ekipit.

Krahasuar me disa ish-lojtarë të Manchester United, situata bëhet edhe më shqetësuese: Antony, i huazuar te Betis, ka shënuar dy gola, ndërsa Mason Greenëood po shkëlqen te Olympique Marseille, ku ka realizuar 14 gola në 22 ndeshje të kampionatit.

Zgjedhjet e merkatos nga Manchester United vazhdojnë të jenë në qendër të kritikave dhe paraqitjet e Hojlund dhe Zirkzee vetëm sa e përforcojnë skepticizmin mbi një strategji që, deri tani, nuk po jep rezultatet e dëshiruara.