Conte humbi kreun, por nuk e bën dramë: Mos harroni se kemi rikuperuar 40 pikë karshi Interit
Antonio Conte, trajneri i Napolit, foli në konferencë për shtyp pas humbjes së pësuar në "Sinigaglia" ndaj Comos. Ai e komentoi kështu disfatën e hidhur, që i kushtoi kreun e Serie A, dhe rënien e ekipit në pjesën e dytë:
"Është e pashmangshme të them që pjesa e dytë nuk më kënaqi, pas një pjese të parë shumë të mirë. Skuadra nuk u dorëzua pas autogolit. Megjithatë, në pjesën e dytë u rikthyem dhe bëmë të kundërtën e asaj që kishim folur në dhomat e zhveshjes. Como kishte më shumë uri se ne. Më vjen keq, por duhet të kuptojmë arsyen e kësaj rënieje".
Për presionin e Comos: "Ishte e rëndësishme ta përballonim presionin, tani na mbetet vetëm të lëpijmë plagët. Më vjen keq për mungesën e agresivitetit dhe urisë, nuk arrita ta përcillja këtë koncept siç duhet te skuadra ime në këtë ndeshje".
Për aspektin mental: "Çdo fitore duhet merituar. Sapo ulim intensitetin dhe agresivitetin, mund të ndodhë kjo gjë. Faji është imi. Nuk e vura re këtë rënie në vëmendje dhe intensitet. Duhet të punojmë shumë dhe të japim më të mirën. Mos harroni që kemi rikuperuar 40 pikë ndaj Interit, krahasuar me sezonin e kaluar.
Po bëjmë diçka të jashtëzakonshme, por duhet ta ruajmë këtë grintë dhe agresivitet. Duhet të japim maksimumin deri në fund, humbja nuk tolerohet. E urrej humbjen, ndaj duhet të qëndrojmë të përqendruar, duke ditur që djemtë po bëjnë diçka të jashtëzakonshme".

