Ndihmë për para-tetraplegjikët, Fondacioni Mane shpërndan 1000 karrige me rrota në të gjithë Shqipërinë

Fondacioni Mane, në bashkëpunim me Fondacionin "Fundjava Ndryshe", ka prezantuar nismën për të pajisur të gjithëpersonat para-tetraplegjikë në Shqipëri me karrige me rrota.

Ky aktivitet, që shënon fillimin e kësaj iniciative, u zhvillua në pallatin e sporteve "Asllan Rusi" në Tiranë, ku u dhuruan 260 karriget e para me rrota.

Për ata që nuk mundën të vinin do u dërgohet në shtëpi karrigia me rrota nga vullnetarët e Fondacionit Mane dhe Fundjavës Ndryshe.

Samir Mane, themeluesi i Fondacionit Mane, theksoi angazhimin e tij për të siguruar që çdo person para-tetraplegjik në Shqipëri të ketë mundësinë të disponojë një karrige me rrota.

Ndihmë për para-tetraplegjikët, Fondacioni Mane shpërndan
Samir Mane, themeluesi i Fondacionit "Mane"

“Kemi sjellë 1 mijë karrige me rrota që do të shpërndahen duke filluar nga sot, por jam i sigurt që ky është vetëm hapi i parë. Kam marrë një angazhim me Arbrin që do të sigurojmë gjithçka që është e nevojshme, që askush në Republikën e Shqipërisë të mos mbetet pa një karrige me rrota”.

Arbër Hajdari, Drejtori i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, konfirmoi angazhimin e përbashkët për realizimin e këtij premtimi.

“Ne, nëpërmjet kësaj nisme, së bashku me Fondacionin Mane, do të shkojmë derë më derë, në çdo cep të Shqipërisë, atje ku ka njerëz që vuajnë për një karrige me rrota; atje ku na kanë shkruar dhe presin që ne të trokasim në dyert e tyre.”

Në këtë nismë, Fondacioni Mane, përveç Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, bashkëpunoi edhe me Shoqatën “Invalidë Para dhe Tetraplegjikë” të Shqipërisë, e  Shërbimin Social Shtetëror.

Nisma dedikuar personave para-tetraplegjikë në Shqipëri i bashkohet një sërë projekteve sociale të realizuara nga Fondacioni Mane, me në fokus përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së grupeve të caktuara shoqërore në nevojë.