Përgjegjësitë e prodhuesve që gjenerojnë mbetje, projektligji diskutohet me grupet e interesit

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në  mbledhjen e të mërkurës zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit, lidhur me projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin, përfaqësues nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë, përfaqësues biznesesh të ndryshme, etj.

Pr/ligji parashikon që bizneset që importojnë apo prodhojnë produkte, të cilat krijojnë mbetje, do të kenë përgjegjësi për t’i menaxhuar ato.

Disa nga detyrimet kryesore për prodhuesit që rrjedhin nga drafti lidhen me financimin dhe krijimin e një sistemi për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri.

Gjatë seancës dëgjimore, të ftuarit shprehën qëndrimet e tyre mbi këtë projektligj, si edhe sugjerime e komente të ndryshme.

“Propozimi jonë është: Së pari, ligji për përgjegjësinë e zgjeruar të subjekteve prodhuese duhet të jetë pjesë e integruar e ligjit për menaxhimin e mbetjeve. Meqë jemi në fazën e draftimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, nuk ka kuptim të avancojmë me këtë ligj.

Është propozuar një ligj pa një studim paraprak. Nëse këto kosto kthehen në benefite askush nuk qahet dhe do jemi të gjithë të kënaqur. Kështu si është menduar do jenë kosto të kota që nuk kthehen në përfitime”, u shprehën prodhuesit.

Në fund të mbledhjes, kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi falënderoi të pranishmit për prezencën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit për këtë projektligj, dhe theksoi se është e rëndësishme që produkti final të përfshijë shumicën e shqetësimeve e nevojave të mjedisit në radhë të parë, por edhe të biznesit, i cili do të jetë edhe aktori kryesor në realizimin e kësaj skeme të propozuar.