"Luftë civile" në PS-në e Kukësit
Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja tronditëse sot në Kukës, ku një drejtor i bashkisë plagosi rëndë një të afërm të kryetarit të bashkisë së këtij qyteti, Albert Halili.
29-vjeçari Elvis Halili u plagos nga Zenel Muçmata, i cili e ndoqi me makinë dhe e plagosi pranë shtëpisë së tij.
Raportohet se zanafilla e sherrit është caktimi i kryebashkiakut Albert Halili si kryetar i PS-së në Kukës.
Eduard Shalsi, i dërguari i PS për Kukësin, nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Ai madje u ka bërë me dije ndjekësve se Halilaj do shkarkohet si kryetar përmes një SMS-je.
“Pas disa bisedave me disa kryetarë njësish administrative që kanë marrë porosi të veçantë nga kryetari, z. Halili që të mbështesin akoma edhe me fort PS-në dhe mua personalisht, gjë për të cilën i shpreh mirënjohjen, ju bëj me dije se drejtimin e Partisë Socialiste në Kukës, do ta marr vetë deri në 11 maj. Vetëm në raste të jashtëzakonshme kryetari i bashkisë mund të jete edhe kryetar i partisë (në të gjithë Shqipërinë janë 1 ose 2 raste). Le të japim më të mirën dhe të vijojmë pa u lodhur përpjekjet tona për një rezultat që të na bëjë të gjithëve krenarë. Mbrëmje të qetë dhe mos harroni - diasporën!”, thuhet në mesazhin e Shalsi.
Autori i plagosjes së sotme, Zenel Muçmata, drejtor në bashki prej disa kohësh, njihet si krahu i Shalsit dhe ka një hotel në Kukës ku është akomoduar edhe Shalsi.
Por ditën e sotme, tensionet janë përshkallëzuar dhe njerëzit e Albert Halilit kanë dhunuar barbarisht Muçmatën, të cilin e kishin shkarkuar para një jave nga detyra. Ky i fundit pasi është armatosur, ka ndjekur dhe ka plagosur të afërmin e Halilit.
Mësohet se i plagosuri Elvis Halili është dërguar në spital për kurim dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia nga ana e saj, edhe pse kanë kaluar shumë orë nga ngjarja e rëndë, nuk ka bërë një reagim se kush është autori i këtij krimi kaq të rëndë./ Syri.net



