Pesë kapitujt e “Mirëqeverisjes”, Ekonomi prezanton rekomandimet e grupit të ekspertëve
Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, diskutoi sot për miratimin e Dokumentit Analitik për Shtyllën e Parë, që është Mirëqeverisja.
Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste dhe relatore e kësaj çështjeje, tha se, “pesë kapitujt e Shtyllës së Parë janë: integriteti dhe etika në administratën publike; llogaridhënia pushtetit vendor dhe qendror; ofrimi i shërbimeve të digjitalizuara; efektiviteti dhe transparenca në menaxhimin e financave publike”.
Sipas saj, pasi u analizuan me kujdes nga grupi i ekspertëve duke marrë në konsideratë edhe sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare për këtë pikë, grupi parashtroi disa nga gjetjet që janë të nevojshme të përfshihen në Planin Kombëtar të Veprimit.
Konkretisht, vijoi Ekonomi, nëse flasim për transparencën në administratën publike në tërësi janë renditur 10 rekomandime. Duke u ndalur në tre prej tyre, ajo theksoi se ato janë: Krijimi i këshillave konsultativë të përhershëm pranë Kuvendit me përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë etj.; Mbështetja e pushtetit vendor në fushën e digjitalizimit dhe e treta, e rëndësishme për këtë kapitull është digjitalizimi për informimin publik.
Ekonomi tha se, “sa i takon integritetit dhe etikës në administratën publike, grupi ka nxjerrë katër rekomandime, ku veçoi njërin prej tyre që ka të bëjë me hartimin e një ligji të ri për shmangien e konfliktit të interesit për personat e emëruar që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas saj, për integritetin e pushtetit vendor dhe qendror grupi paraqiti 17 rekomandime.
“Forcimi e institucioneve rregullatore që raportojnë periodikisht në Kuvend; automatizimi i listës së pagave; matja e eficiencës së punonjësve në shërbimin civil dhe meritokracia për çdo pozicion pune që shpallet në administratën publike dhe integrimin e politikave rajonale që ka të bëjë me fakti se Shqipëria do të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, sidomos tani që vjen Plani Ekonomik i Rritjes dhe është e nevojshme që njohja e instrumentave strukturorë të jetë më i thellë nga ana e punonjësve në nivel lokal dhe qendror”, u shpreh Ekonomi.
Ajo vuri në dukje se gjithashtu në këtë kapitull një rekomandim i rëndësishëm është edukimi i publikut për rrezikun e korrupsionit dhe kulturën e integritetit.
“Kur flasim për shërbimet e digjitalizuara, Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm dhe ky hap pozitiv kërkon që ne të marrim në konsideratë rritjen e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave që është vënë te rekomandimet. Ndërsa rekomandim tjetër i rëndësishëm është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në administratën publike për të krijuar një administratë më të hapur”, theksoi Ekonomi.
Sa i takon efektivitetit dhe transparencës në financat publike, Ekonomi tha se, janë paraqitur nëntë rekomandime, teksa u ndal veçanërisht te përshtatja e legjislacionit për PPP dhe koncesionet sipas BE dhe te ligji i Prokurimit Publik, i cili duhet të ketë në fokus optimizimin e burimeve financiare.
Ekonomi theksoi se, “fakt i rëndësishëm është edhe prokurimi green për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë e rinovueshme. Ndërsa rekomandohet raportimi i rregullt financiar i ndërmarrjeve shtetërore nëpërmjet metodologjisë së standardizimit, me qëllim reduktimin e risqeve fiskale. Për këtë pikë rekomandohet krijimi i një këshilli fiskal”.


