“Paketa e maleve” dhe ndryshimet e TVSH-së, KAS i jep të drejtë Kuvendit të vijojë shqyrtimin

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranoi sot pjesërisht kërkesën ankimore të depozituar nga Kuvendi për të kundërshtuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili i rekomandoi Kuvendit të mos përfshijë për shqyrtim në seancë plenare projektligjin “Për paketën e maleve” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi sot, në seancë publike, kërkesën ankimore të depozituar nga Kuvendi me objekt kundërshtimin e pikës 2 të vendimit të 11 shkurtit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Celibashi ishte shprehur se ligjet prekin politika të rëndësishme fiskale, pasi ndryshimet e propozuara do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar. Sipas Celibashit, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtonte parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve dhe mund të krijonin perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale.

Nga ana e vet, Kuvendi argumentoi se nismat nuk krijojnë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët, ndërkohë që “Paketa e maleve” është nismë e shpallur prej kohësh.

Pas ankimimit nga Kuvendi, KAS me shumicë votash, pranoi pjesërisht ankimimin dhe vendosi shfuqizimin e pikës 2 të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në të cilën i rekomandohet Kuvendit të Shqipërisë të mos përfshijë për shqyrtim në seancë plenare projektligjin “Për paketën e maleve” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””.