Përballja me Leverkusenin / Kompany kujton: Kanë humbur vetëm një herë në 18 muajt e fundit

Bora mund të ndikojë në stërvitjet e Bayern Munich, veçanërisht në prag të përballjes së madhe kundër Bayer Leverkusen (e planifikuar për këtë të diel), por kjo nuk e shqetëson trajnerin Vincent Kompany.

"Kam parë më shumë borë këtu në tre muajt e fundit sesa në 15 vitet e fundit. Sidoqoftë, kjo nuk ndikon në përgatitjen tonë. Fusha është e ngrohur dhe lojtarët janë mësuar me këto kushte"– tha ai në konferencën për shtyp.

Për përballjet e mëparshme me Leverkusenin: "Të dyja ndeshjet (e këtij sezoni) kanë qenë shumë të ekuilibruara. Cilësia e të dyja skuadrave është jashtëzakonisht e lartë, por ndeshjet ishin gjithashtu të ndryshme. Në njërën morëm një karton të kuq shumë herët, në tjetrën dominuam. Tani luajmë në transfertë, nuk e dimë si do të shkojë ndeshja, por me siguri do të jetë një duel me nivel të lartë".

Për Florian Wirtz, yllin e Leverkusenit: "Duhet ta ndalim si skuadër, sepse lojtarë si ai gjithmonë gjejnë momentin vendimtar. Gjermania mund të jetë shumë krenare që ka lojtarë si Jamal Musiala dhe Florian Wirtz. Të mund ta ndalosh vetëm kolektivisht, jo individualisht".

Për vështirësinë e përballjes me Xabi Alonso dhe Bayer Leverkusen: "Kjo është një ndeshje që do të tërheqë vëmendjen e shumë njerëzve. Nuk duhet harruar se ata kanë humbur vetëm një herë në kampionat gjatë 18 muajve të fundit. Nuk do të më çudiste nëse rregullisht do të arrinin mbi 80 pikë në sezon.

Kjo tregon sa mirë po punojnë, ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kemi marrë masa për të qenë konkurrues. Duam të jemi një nga skuadrat që fiton në ‘BayArena’, do ta tentojmë këtë gjë".