Zyrtare, Bayerni u bën dhuratë tifozëve për Shën Valentin rinovimin e talentit të sulmit
Jamal Musiala ka rinovuar kontratën e tij me Bayernin deri më 30 qershor 2030. Lojtari 21-vjeçar i kombëtares gjermane iu bashkua klubit nga akademia e Chelsea në verën e vitit 2019.
Ai kaloi fillimisht kohë në skuarën e të rinjve, por bëri shpejt kalimin në ekipin e parë dhe e rreshtoi emrin e tij në nivelin më të lartë.
Herbert Hainer, president i Bayernit, deklaroi: "Çfarë dhurate të mrekullueshme për 125-vjetorin e klubit dhe tifozët! Njerëzit shkojnë në stadium për lojtarë si Jamal Musiala.
Ai është një lojtar vërtet i shquar. Ndonjëherë ndihesh si të mos ishin rregullat e gravitetit të zbatueshme për të.
Merita për menaxhimin tonë sportiv dhe bordin. Sot është një ditë shumë e mirë për Bayernin."
Jan-Christian Dreesen, CEO i FC Bayern: "Ky rinovim kontrate është një hap i rëndësishëm për Jamal Musialan dhe për Bayernin.
Jamal ka bërë një hap tjetër të madh përpara këtë sezon dhe jemi të lumtur që do të vazhdojmë udhëtimin tonë së bashku.
Pavarësisht moshës së tij të re, Jamal është tashmë një figurë identifikimi dhe përfaqëson gëzimin për lojën, shpirtin e ekipit dhe lidhjen me Bayernin.”
Max Eberl, anëtar i bordit të Bayernit për sportin: "Klubet më të mëdha në botë kërkojnë lojtarë që mund të bëjnë ndryshimin, dhe Jamal Musiala spikati në këtë drejtim.
Ai po formon të tashmen te Bayern dhe do të formojë të ardhmen, është fytyra e gjeneratës sonë të re. Te Jamal arritëm të bindim një nga lojtarët më të kërkuar në botë për planin tonë afatgjatë te Bayerni.
Lojtarë si ai na lejojnë të dërgojmë një mesazh të qartë për të gjithë se Bayern do të jetë një forcë që duhet marrë parasysh edhe në të ardhmen."
Vetë Jamal Musiala, pas hedhjes së firmës, u shpreh:
"Jam shumë i lumtur. Bayerni është një nga klubet më të mëdha në botë. Hodha hapat e mi të parë në futbollin profesionist këtu dhe besoj fuqishëm se mund të arrijmë diçka të madhe me këtë klub në vitet që vijnë.
Ndihem si në shtëpi, si në Mynih, ashtu edhe te klubi me tifozët tanë të mrekullueshëm. Kemi shumë gjëra që duam të arrijmë. Jam shumë i emocionuar për gjithçka që do të vijë."
Musiala, i cili ka luajtur për Chelsea-n gjatë fëmijërisë së tij dhe kaloi shumicën e rinisë në akademinë e klubit, iu bashkua Bayern-it në vitin 2019 dhe ka bërë debutimin e tij në ekipin e parë në maj të vitit 2020.
Gjatë kohës së tij në Mynih, ai ka realizuar 58 gola dhe ka dhënë 31 asiste në 193 ndeshje konkurruese për Bayernin.
Ai ka fituar katër herë Bundesliga-n, tri herë Superkupën e Gjermanisë, Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube të FIFA-s.
