Veselinovic karikon Partizanin: Kërkohet motivim dhe guxim për t'u përballur me Egnatian
Kryesfida e javës së 25-të të Superiores është Egnatia-Partizani. Në Rrogozhinë do të jenë mysafirë “demat e kuq”, ndoshta rivalët kryesorë të kampionëve në fuqi të vendit për titullin. Ky rivalitet ka qenë i ethshëm edhe sezonin e kaluar, po vazhdon edhe aktualisht.
Më konkretisht, Egnatia kryeson renditjen për momentin, me 5 pikë më shumë se të kuqtë kryeqytetas. Pra, epërsia iu jep komoditet e qetësi rrogozhinasve. Në anën tjetër, trajneri Veselinovic, duke folur në konferencën për shtyp, karikoi të tijtë për të marrë maksimumin në këtë transfertë të vështirë: “E respektojmë Egnatian, ekipin kampion në fuqi. Në këtë sezon po luan shkëlqyeshëm.
Ata janë një skuadër kompakte, luajnë prej shumë kohësh bashkë dhe kanë automatizma në lojë. Ne duhet të mendojmë dhe për veten. E kemi përgatitur këtë përballje si çdo ndeshje. Ekipi që do të zbresë nesër në fushë do të jetë më i miri i Partizanit për këtë moment”.
Mungesa të rëndësishme – “Në qoftë se do të filloja të numëroja lojtarët e skualifikuar apo të dëmtuarit, do të humbisja shumë kohë. Lojtarët që janë të gatshëm për të luajtur meritojnë respekt maksimal. Jam i sigurtë që lojtarët, të cilët do të zbresin në fushë ndaj Egnatias, do të jenë të motivuar dhe të guximshëm”.
Faza e “Final Four” – “Së pari, ne respektojmë çdo kundërshtar dhe si gjithmonë i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Është gabim në futboll nëse mendon se duhet të ruash diçka dhe në këtë mënyrë e vendosni veten në pozicion mbrojtjeje.
Nuk duhet të mendojmë në këtë mënyrë. Ne gjithmonë duhet të kemi një synim, ndeshja e nesërme ka synimin e saj. Përsa iu përket synimeve afatgjata do t’i mendojmë më vonë. Mundohemi të fokusohemi vetëm te synimet afatshkurtër”.
Bilanci ndaj Egnatias në këtë sezon – “Kemi marrë një fitore dhe një barazim, por çdo ndeshje është histori më vete. Dy ndeshjet e para, në të cilat kemi arritur rezultate pozitive, mund të jenë për bisedë e këndshme, por nuk është se ndihmojnë në ndeshjen e nesërme. Tashmë detyra të reja dhe duhet të përgjigjemi pozitivisht”.

