Fizioterapi për pacientët me sklerozë multiple, Rakacolli: Njësi në disa qendra shëndetësore në vend! Vasili: Protokoll gjysmak mjekësia nuk ka
Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, sot u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues nga Fondacioni “Pema e Jetës” me temë, “Ofrimin e fizioterapisë në Qendrat Shëndetësore parësore për pacientët me sklerozë multiple” .
Mira Rakacolli, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se skleroza multiple përveçse një sëmundje, është një kauzë shumë humane që kërkon vëmendje të veçantë, ndërsa politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synojnë shtimin e numrit të mjekëve, nga 1.9 në 2.4 mjekë për një mijë banorë.
“Në lidhje me trajtimin e sklerozës multiple, problemi është shumë më kompleks. Skleroza multiple është një sëmundje që zhvillohet me periudha përmirësimi dhe keqësimi dhe jo të gjithë ata që janë të diagnostikuar kanë nevojë për mjekime kronike. Asnjë person që ka dalë nga Shërbimi Kombëtar i Neurologjisë nuk ka ngelur pa mjekim. Problemi i riaftësimit nuk është vetëm për pacientët me sklerozë multiple, por edhe për pacientë që vuajnë nga patologji të tjera. Natyrisht, që në politikat e MSHMS është edhe riaftësimi, kjo është e sanksionuar në politikat tona”, u shpreh ajo.
Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në vitin 2020 për herë të parë u fut koncepti i qendrave socio-shëndetësore në Shqipëri, ndërsa njësitë e fizioterapisë janë në disa qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë.
“Janë 17 qendra të shpërndara në të gjithë vendin, katër prej tyre janë në Tiranë dhe pikërisht në qendrat shëndetësore 6 dhe 10, si edhe në Kamzë e Vorë”, thotë Rakacolli.
Rakacolli thekson se struktura lëvizëse për këta pacientë bëhen sipas një databaze që ndërtohet në vijimësi, në bazë të të dhënave për personat që marrin shërbimin shëndetësor në familje.
“Në kemi rritur edhe numrin e mjekëve për banorë, nga 1.9 mjekë do shkojmë tek 2.4 mjekë për një mijë banorë aty ku po shkon mesatarja e OECD-së”, pohoi ajo.
Sipas njërit prej përfaqësuesve të këtij fondacioni, Tanush Çaushi projekti që është kërkuar nga organizata “Shëndet për të gjithë” me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Koordinim ka kryer vlerësime për pacientët me sklerozë multiple dhe ofrimin e fizioterapisë në qendrat shëndetësore.
“E kemi kryer këtë studim sepse kjo kategori pacientësh që diagnostikohet në moshë shumë të re ka nevojë për këtë lloj shërbimi. Kemi patur një kalvar peripecish, por që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kemi arritur të shtojmë në listën barnave të rimbursueshme edhe tre ilaçe, pra nga dy kemi shkuar në pesë”, shprehet ai.
Përfaqësuesi i këtij fondacioni u shpreh gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë se për këtë kategori pacientësh, përveç medikamenteve, edhe shërbimi i fizioterapisë është një tjetër element i nevojshëm.
“Një pacienti me sklerozë multiple marrja e shërbimit të fizioterapisë llogaritet në 300-400 euro në muaj, shto këtu edhe kostot e transportit nëse do të shkojë në një qendër private. Kostoja bëhet edhe më e lartë”, shprehet Tanushi.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili tha se qeveria duhet të mbajë shënime për ata që janë vërtet në vijë të parë, që janë 24 në 24 dhe përballen me problematika mjekësore, sociale etj.
“Një pikë kyçe është rehabilitimi, çështja e përfshirjes së rehabilitimit në protokoll është një shpjegim pa kuptim mjekësor. Protokoll gjysmak mjekësia nuk ka, por ka vetëm protokoll integral. Kush e njeh sëmundjen, e di mirë se një rrugë themelore është rehabilitimi, barnat dhe rehabilitimi janë pjesë të pandara dhe e thotë shkenca mjekësore.
Nuk ka mungesë fizioterapeutistësh, sepse ne kemi parë një administratë që është rritur me mijëra persona, ndërsa mungojnë 50 fizioterapeutë që janë jetik për këta pacientë”, tha Vasili.


