Ligjet miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votimin nga jashtë, rrëzohet kërkesa e PD
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi disa ndryshime në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Konkretisht u miratua propozimi që pagesa e shërbimit postar për votuesit jashtë vendit të mbulohet nga shteti. Po ashtu palët politike u dakordësuan që numërimi i fletëve të votimit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, do të bëhet me komisionerë politikë dhe me një përfaqësues teknik të KQZ-së.
Gjithashtu u votua pro zgjatjes së afatit të regjistrimit të subjekteve politike. Komisioni votoi pro edhe për sa i përket procedurave dhe afateve të ankimit ndaj vendimeve të KQZ për regjistrimin e votuesve nga jashtë.
Nga ana tjetër, u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike, e cila kërkoi që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të votojnë dhe me karta identiteti të shtetit ku jetojnë.
“Jemi kundër në parim, le ta shohë KQZ me akt rregullator”, tha Gjiknuri.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të miratohet në seancën plenare të ditës së enjte.
Gjatë fjalës së tij në komision, përpara votimit, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi adresoi nevojën për përmirësim të kuadrit rregullator të paktën në aspektin teknik për 4 elementë.
“Si institucion zbatues dhe me përgjegjësi direkte dhe kryesore në realizmin e këtij procesi në kuadër të përgatitjeve të këtij aspekti zgjedhor kemi zhvilluar takime me përfaqësues politik, të organizative që përfaqësojnë votuesit nga jashtë, kemi konstatuar nevojën për përmirësim të kuadrit rregullator të paktën në aspektin teknik për 4 elementë: ajo çka ka të bëjë me afatet e regjistrimit të subjekteve, me procedurat e numërimit, me procedurat dhe afatet që kanë të bëjnë me ankimin ndaj vendimeve që lidhen me regjistrimin e votuesve nga jashtë si dhe me pagesën e shërbimit postar”, tha Celibashi.
“Për të gjitha këto elementë kemi zhvilluar takime por edhe në analizë që kemi bërë ne si institucion kemi bërë kemi menduar se është me dobi nga pikëpamja teknike për procesin e votimit nga jashtë nëse Kuvendi i Shqipërisë do të adresonte këto kërkues nëpërmjet amendimeve përkatëse ligjore. Ka pasur në mënyrë konstante kërkesë nga organizatat që përfaqësojnë votuesit nga jashtë, që të paktën për zgjedhjet nga jashtë që shteti shqiptar të pagunët gjithë operacionin e shërbimit postar dhe jo vetëm dërgimin e fletës së votimit. Mendojmë se është me dobi të adresohej në këtë mënyrë të ishte shteti shqiptar që të paguante të gjitha kostot e votimit nga jashtë”, tha më tej kreu i KQZ-së.
Celibashi nënvizoi se e ka paraqitur prej kohësh çështjen e afateve të regjistrimit të sistemit zgjedhor.
“Nuk mund ta them me siguri absolute që afatet aktuale mund ta cenojnë procesin përgatitor por ka një risk duke llogaritur afatet e ankimit, kohën teknike për fletën e votimit për ta printuar dërguar dhe kthyer mbrapsht”, tha Celibashi.
“Po kështu edhe për sa i përket procedurave dhe afateve të ankimit ndaj vendimeve të KQZ për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Për sa i përket procedurës së numërimit dhe vlerësimit të fletës së votimit, kemi menduar dhe pas diskutimet me përfaqësues të partive politike ndoshta ka nevojë që mos ta zhveshim tërësisht procesin e numërimit të votave nga jashtë nga forcat politike. Kemi propozuar një zgjidhje te mesme ku partitë të jenë prezentë në këtë proces por ndërkohë edhe institucioni i KQZ të ketë përfaqësinë e vet”, nënvizoi më tej Celibashi.


