Guardiola: Nuk mund ta krahasojmë veten me Realin sa i përket historisë, nuk mendoj se do të shkarkohem

Pep Guardiola, trajner i Manchester City-t, foli në konferencën për shtypin në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, e vlefshme për ndeshjen e parë të fazës playoff:

"Nuk kemi bërë shumë mirë deri tani dhe jemi aty ku e meritojmë. Shorti është short, ne e pranojmë sfidën.

Në vitet e fundit kemi pasur një rivalitet të madh me Realin, por në terma historie nuk mund ta krahasojmë veten me ta, për të qenë të sinqertë. Në dekadën e fundit kemi qenë rivalët e tyre."

Çfarë mendoni për Real Madridin?

Ata janë në krye të renditjes dhe po luftojnë kundër Atleticos dhe Barcelonës. Do të na duhen dy ndeshje të mira për t’i mposhtur.

Mund të luajmë mirë, por nuk kemi qenë aq të qëndrueshëm sa dikur.

Nuk mund ta mohoj që kam besim te lojtarët, të cilët kanë qenë fantastikë për një dekadë. Sulmuesit e Realit janë të jashtëzakonshëm.

Ata kanë aftësinë të bëjnë pasime të shkurtra dhe të gjata, ndaj duhet të imponojmë lojën tonë.

A ka pak mllef te Reali për Topin e Artë?

Jo, atë e fitoi Rodri...

Mund të kishte qenë më i favorshëm shorti?

Kur e përfundon grupin në vendin e 22-të nga 24, nuk mund të kërkosh favore. Nuk morëm mjaftueshëm pikë për të qenë as afër tetë më të mirëve.

Kemi marrë atë që e merituam. Ekipi ynë ka diçka të veçantë. Shpresojmë që nesër t’ia dalim.

Preferoni ta luani ndeshjen e kthimit në shtëpi apo jashtë?

Është gjithmonë më mirë të luash ndeshjen në shtëpi me tifozët e tu, por nuk e merituam këtë.

A keni shanse për të fituar Ligën e Kampionëve?

Nëse mundim Realin, do të jetë një shtysë e madhe për pjesën e mbetur të sezonit. E di se si duam të luajmë, e di që lojtarët mezi presin të zbresin në fushë nesër. Nuk mund të harrojmë se një dekadë më parë nuk ishim këtu.

E keni vendosur formacionin?

Kam ende dyshime për disa lojtarë të dëmtuar.

Keni frikë nga shkarkimi?

Jo. Nuk e di nëse një mjek pyetet ndonjëherë për pozicionin e tij. Jam këtu për atë që kam fituar në sezonet e kaluara. Nuk mendoj se do të më hedhin në rrugë.