Publikohet VIDEOJA, ja si i motivoi Carlo Ancelotti lojtarët e Realit në pushim në finalen e Championsit

Mediet në Spanjë kanë transmetuar një pjesë nga fjalimi i Carlo Ancelottit në dhomat e zhveshjes së “Wembley”, gjatë pushimit të finales së Champions League, të cilën Real Madridi e fitoi 2-0 ndaj Borussia Dortmundit.

“Ancelotti, më i nxehur se kurrë gjatë pushimit të finales së fundit të Champions-it” dhe “Ancelotti siç nuk e keni parë kurrë”, ishin titujt e programit të drejtuar nga Josep Pedrerol.

Fjalimi i trajnerit italian dha efekt, pasi në pjesën e dytë Real Madridi shënoi dy gola (shënoi Dani Carvajal në minutën e 74-t dhe Vinicius në të 83-tën) dhe nuk pësoi asnjë, duke fituar trofeun e 15-të të Ligës së Kampionëve në histori.

“Duhet të jemi të duruar. Sa topa kemi humbur? Sa topa kemi humbur? Nuk duhet të rrezikojmë… Kur humbasim topin… Kundër… Kundër… Nuk është e mundur”, – dëgjohet Ancelotti, duke i qortuar lojtarët e tij.

Në fjalim shihet se trajneri i Real Madridit ndryshon strukturën e mesfushës në pjesën e dytë: “Ta ulim pak më poshtë bllokun, duhet jemi më kompaktë dhe të rikuperojmë topin për të dominuar Borussia Dortmundin dhe për ta fituar ndeshjen”.

“Ishte një ide që doja ta ndaja dhe jo ta imponoja, pasi stresi ishte shumë i madh për ta”, – kujton Ancelotti në “Prime Video”.

Fjalimi i tij përfundoi me thirrjen: “Duhet të jemi të fortë në fushën tonë dhe të kemi besim”. Më pas lojtarët e Real Madridit e shpërblyen me një duartrokitje përpara se të ktheheshin në fushë.

“Të dalim sërish në fushë të fuqishëm”, “të luajmë fort”, “t’i frikësojmë që tani”, “bashkë, bashkë”… janë disa nga frazat që dëgjohen në dhomën e zhveshjes së Real Madridit pas fjalimit të Ancelottit.