Gabimet e Diasporës për regjistrim/ KQZ: Mbi 105 mijë votues të regjistruar, 60 mijë me probleme
Mbi 105 mijë emigrantë janë regjistruar si votues për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa 60 mijë kërkesa janë refuzuar për shkak të gabimeve, kryesisht në adresat e aplikimit.
Deri më 4 mars, aplikantët kanë të drejtë të korrigjojnë të dhënat për t’u përfshirë në listën paraprake që publikohet më 9 mars.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar 105 mijë kërkesa nga emigrantët për t’u bërë pjesë e listave të votuesve të garës së 11 majit deri mesditën e së djeleës.
Megjithatë numri i refuzimeve arrin shifrën e 60 mijë.
Administrata e KQZ që shqyrton aplikimet e diasporës shpjegon për Ora News gabimet më të shumta që bëhen nga shqiptarët që jetojnë ose punojnë jashtë vendit.
Në një rast specifik, shpjegon se shtetasit që jetojnë në Itali janë ata që gabojnë gjatë regjistrimeve.
Shqiptarët që vijnë nga Greqia apo Mbretëria e Bashkuar janë sensibilizuar duke bashkangjitur të dhënat e sakta.
Deri në datën 4 mars shqiptarët jashtë territorit kanë të drejtën të riaplikojnë për t’u bërë regjistruar si votues të zgjedhjeve të 11 majit.
Në datën 9 mars, KQZ do të publikojë listën paraprake të zgjedhësve, të cilët do të ndahen sipas qarqeve ku ata bëjnë pjesë.
