“Hetimi, pa vlerë!”/ Diploma e Këlliçit, Xama dhe Lala: SPAK nuk është stukturë politike që të ushqejë këto debate

Nëndrejtoresha e shkollës “Harry Fultz”, Brikena Baxhaku, u paraqit sot në SPAK në kuadër të hetimeve që po bëhen prej muajsh për të ashtuquajturin falsifikim të diplomës së shkollës së mesme nga ish-deputeti Belind Këlliçi.

Gazetaret Ola Xama dhe Klodiana Lala deklaruan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se këto hetime janë nul juridic, pasi vepra penale, nëse ka të tillë është parashkruar.

DEKLARATAT

Ola Xama: Çështja e diplomës së Këlliçit ka nisur nga një pretendim nga mediat afër Veliajt, kur Këlliçi ishte kandidat përballë Veliajt për bashkinë e Tiranës.

Pretendohet se Këlliçi ka mbaruar vetëm 4 vite të shkollës “Harry Fultz” nga 5 vite dhe këto kredite i janë njohur në SHBA. Pretendohet për falsifikim.

Në kallëzimin e Idajet Beqirit, thuhet edhe për fshehje te pasurisë. Por kjo mund të mbetet në investigim dhe analizë të mediave, që mund të gjykohet në nivelin etik.

Në nivelin penal, ky hetim nuk vlen asgjë. Vepra penale e falsifikimit dënohet maksimalisht me 3 vite dhe parashkruhet pas 5 vitesh.

Janë orë të tëra pune të prokurorëve, që marrin në pyetje në lidhje me këtë hetim që në fund shkon nul dhe ushqen vetëm debatet politike. SPAK nuk është stukturë politike që të ushqejë këto debate.

Klodiana Lala: Sigurisht është vepër e parashkruar edhe nëse ka ndodhur. Nuk dimë nëse SPAK ka nisur hetim mbi pasurinë e zotit Këlliçi.

Nëse ndalet vetëm te diploma, maksimumi që mund t’i ndodhë zotit Këlliçi është thjesht dëmi moral.

Por nga ana ligjore, është vepër penale e parashkruar sepse ka 10 apo 12 vite që zoti Këlliçi ka përfunduar shkollën e mesme. Por nëse shkon te hetimi pasuror, nëse ka deklaruar pasurinë e bashkëjetueses, aty mbetemi në terren të panjohur.