Votim me dokumente të huaja, debat në KQZ/ Cakaj: Teknikisht i mundur! Nano: Në dorën e partive

Strukturat e KQZ janë të ndara sa i përket mundësisë që emigrantët të votojnë me dokumente të një shteti tjetër. Ilirian Celibashi shprehet se kjo është e pamundur, por anëtari i Rregullatorit Muharrem Cakaj e cilëson lehtësisht të zbatueshëm.

Propozimet e PD që emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja janë quajtur si të pamundura teknikisht nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi i cili ka thënë se sistemi PER njeh vetëm dokumente shqiptar.

Por anëtari i Komisionit rregullator në KQZ i opozitës Muharrem Cakaj tha se nëse partitë bien dakord është lehtësisht e implementueshme në sistem.

Ai thotë se një gjë e tillë do të mundësonte votim gjithëpërfshirës të emigrantëve.

Ndërkohë më e rezervuar tregohet Ilirjana Nano kryetarja e Komisionit Rregullator e cila thotë se është në dorën e partive që të bëjnë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor.

PD kërkon që në zgjedhjet e 11 majit të mund të votojnë jo vetëm emigrant që kanë një dokument identifikimi shqiptar por edhe ato që janë vetëm me dokumente të huaj por që janë në listën e gjendjes civile në Shqipëri.