Izraeli tërhiqet nga UNHRC, reagon raportuesja speciale e OKB-së

Vendimi i Izraelit për t'u tërhequr nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) u dënua ashpër nga Raportuesja Speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, Francesca Albanese. Më herët gjatë ditës së sotme, Izraeli njoftoi se po tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pas një vendimi të ngjashëm të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Vendimi u mor në dritën e njëanshmërisë institucionale të vazhdueshme dhe të pamëshirshme kundër Izraelit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, një paragjykim që ka qenë i vazhdueshëm që nga themelimi i tij në vitin 2006”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar në një letër drejtuar presidentit të UNHRC, Jurg Loeber.

Albanese, një eksperte e pavarur e emëruar nga UNHRC në krye të territoreve palestineze, ka qenë prej kohësh objektiv i kritikave shumë të forta nga zyrtarët izraelitë të cilët e akuzojnë atë për antisemitizëm ose nënvlerësim të sulmit të 7 tetorit 2023. Qeveria izraelite nuk e ka lejuar as të vizitojë territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli.

Albanese tha se vendimi i sotëm i Izraelit për t'u tërhequr nga UNHRC-ja demonstron arrogancën dhe mungesën e vetëdijes për atë që ata kanë bërë. Sipas saj ata insistojnë në drejtësinë e vetvetes, për të mos pasur asgjë për t'u mbajtur përgjegjës dhe e demonstrojnë këtë përpara gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Ajo tha se ka frikë se "gjenocidi" i Izraelit kundër palestinezëve do të zgjerohet dhe intensifikohet në Bregun Perëndimor të pushtuar. Izraeli mohon akuzat për kryerjen e gjenocidit dhe thotë se po mbron interesat e tij legjitime të sigurisë si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Rripin e Gazës, ku një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi javët e fundit pas një lufte 16-mujore izraelite kundër Hamasit.

“Pjesa veriore e Bregut Perëndimor po sulmohet kryesisht nga ushtarët. Pjesa jugore po sulmohet kryesisht nga kolonët izraelitë dhe këtë mund ta shihni si një sulm kundër popullit palestinez në tërësi”, theksoi Albanese.

Duke komentuar propozimin tronditës të djeshëm të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, ajo tha se Trump po shkatërron parimet bazë të respektimit të të drejtave të njeriut në një shkallë të madhe, jo vetëm në Palestinë.