Edhe Izraeli njofton tërheqjen nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Izraeli do të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe do të largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC), tha ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar në X.

”Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, një organ ndërqeveritar përgjegjës për promovimin e të drejtave të njeriut, ka mbrojtur tradicionalisht abuzuesit e të drejtave të njeriut duke i lejuar ata të fshihen nga shqyrtimi, dhe në vend të kësaj demonizon në mënyrë obsesive të vetmen demokraci në Lindjen e Mesme – Izraelin”, tha Saar.

Ai vuri në dukje se Izraeli ishte i vetmi anëtar “me një pikë të rendit të ditës kushtuar vetëm atij” ndërsa vendi ishte “nënshtruar mbi 100 rezoluta dënuese … më shumë se kundër Iranit, Kubës, Koresë së Veriut dhe Venezuelës së bashku”.

”Izraeli nuk do ta pranojë më këtë diskriminim”, përfundoi ai.

Presidenti amerikan Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të martën duke vënë në dyshim anëtarësimin e vendit në disa organizata të OKB-së.

Ndër të tjera, ai parashikon tërheqjen e SHBA nga UNHRC.

Megjithatë, SHBA nuk është aktualisht anëtare, pasi mandati i saj më i fundit trevjeçar në këshill përfundoi me fillimin e vitit të ri, që do të thotë se një tërheqje formale nuk është e mundur.

Më së shumti, Uashingtoni mund të vendosë të mos marrë më pjesë në aktivitetet e Këshillit si vëzhgues dhe të mos aplikojë më për anëtarësim.

Këshilli përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sipas faqes së tij të internetit.

Anëtarët e këshillit shërbejnë për tre vjet dhe nuk kanë të drejtë për rizgjedhje të menjëhershme pas kryerjes së dy mandateve radhazi.