Berisha me gazetarët: Udhëtimi im në Gjermani në Kongresin e CDU-së, ishte udhëtim drejt fitores

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar udhëtimin e tij të fundit drejt Berlinit, duke theksuar se ai përbënte një hap të rëndësishëm në procesin e fitores për Partinë Demokratike. Në konferencën për shtyp, Berisha shpjegoi se ky udhëtim ishte një kthim në një moment historik të ngjashëm me ato që ai ka përjetuar gjatë karrierës së tij politike. Ai e krahasoi këtë udhëtim me atë të para 32 vjetësh, kur, si kryetar i PD-së, takoi Helmut Kohl dhe mori pjesë në një samit të OSBE-së.

Berisha nënvizoi se, siç ndodhi atëherë pas rënies së regjimit komunist, kësaj radhe PD-ja është duke dalë nga një periudhë e vështirë e izolimit nën qeverisjen e narkodiktaturës. Ai shprehu besimin e tij të thellë se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet dhe se e ardhmja e saj është e ndritshme. Lideri demokrat gjithashtu theksoi mbështetjen që ka marrë nga partia më e fuqishme e Europës, CDU, dhe presidentin e saj, Friedrich Merz, i cili e ka shprehur publikisht mbështetjen për fitoren e PD-së.

FJALA E BERISHËS:

Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. Natyrisht unë e kuptoj që ju keni kuriozitet të shpreh opinionin tim për këtë udhëtim, pra, ishte udhëtim drejt fitores.

Një koincidencë shumë interesante, kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman, në atë kohë ishte Boni, dhe nuk ishte kongresi i CDU-së, ishte një samit i OSBE-së, por Helmut Kohl do të ishte kryeministri i parë që unë do të takoja si politikan disamujor.

Historia përsëritet, në atë kohë pak muaj më parë kishim dalë nga izolimi komunist. Edhe kësaj herë, pak muaj më parë dola nga izolimi i narkodiktaturës. Atëherë fitova. Atëherë fituam zgjedhjet, PD fitoi zgjedhjet.

Këtë herë, PD fiton zgjedhjet. Kjo është esenca.

Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD.

Dëshirojnë fitoren e kësaj force politike si një forcë me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta.

Por duhet ta them këtu, sot në axhendën e të gjitha qeverive më serioze, përfshi presidentin e SHBA, Trump, është problemi i trafikut njerëzor, i emigracionit, i refugjatëve.

Partnerët, aleatët tanë e kanë shumë të qartë se me PD-në në pushtet, zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera.

Nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit.

Ligji, ata e dinë që është forcë e ligjit, shteti ligjor, PD.

Me një vokacion të palëkundur për tregun e lirë, por dhe trajtimin e çështjeve sociale me përgjegjësi të madhe.

Mund t’u them se ishte udhëtim drejt fitores pasi e kuptoni vetë, pjesëmarrja pas kaq vitesh në një kongres, unë mund t’ui them ju se përzemërsia ndaj nesh, ndaj përfaqësuesve të PD-së, ishte më e madhe se asnjëherë.

Nuk kam gjetur ndonjëherë një përzemërsi të tillë në ndonjë konventë ndërkombëtare.

Ishte një udhëtim drejt fitores, pasi aty pata rastin të takoj shumë miq gjatë gjithë ditës.

Miq të vjetër, që kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, por edhe miq të rinj, që ishin të informuar për qëndrimet e PD-së, vendosmërinë e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga narkodiktatura.

Aty patëm shkëmbime miqësore mendimesh, shtrëngim duarsh, por që të gjitha asgjë spontane, të gjitha të organizuara, të llogaritura, të suksesshme, domethënëse.

Kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz paraqiti platformën e emergjencës, si të themi 100-ditëshen, pak a shumë kjo ishte.

Ai premtoi ndërhyrje transformuese ekonomike, ulje të çmimit të energjisë.

Premtoi ulje të taksave mbi ushqimet.

Premtoi një përmirësim të madh të tregut të punës.

Premtoi zhvillimin e burimeve të fuqishme energjetike.

Faktikisht, me Friedrich Merz, Gjermania njeh një transformim dhe një impetus të ri të madh, çka është interesi më i madh i gjermanëve, por edhe i gjithë Europës, për aq sa ekonomia gjermane është lokomotiva e ekonomisë së Europës.

Por gjendja ekonomike nuk është ajo që duhej të ishte.

Merz premtoi dhe u zotua se teknologjia dhe inovacioni do jenë drejtimet kryesore të ekonomisë gjermane.

Pra, në këtë aspekt, ajo që është emergjente për Gjermaninë, është superemergjente për vende si Shqipëria.

Kështu që ky ishte edhe një rast për të përfituar nga programi i emergjencës së shpallur nga kancelari i ardhshëm, por edhe një certifikim i programit që kemi shpallur para shqiptarëve.

Me këtë rast dua të falënderoj me shumë përzemërsi dhe mirënjohje kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë për ftesën, për ndjenjat miqësore që dëshmoi ndaj meje.

Kryeministrin e Vestasfalisë veriore, kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, deputetë, personalitete të kësaj partie, në veçanti Kristian Kramer, Sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare i kësaj partie, Jurgen Hard, zëdhënës i Politikës së Jashtme në grupin parlamentar të CDU/CSU, Piter Bajer, një mik i çmuar i Shqipërisë, Elmar Brok, një mbështetës kryesor i demokracisë shqiptare në dekada, Doris Pak, një mike e shquar e vendit tonë, Olaf Guting, raporter për financat në Bundestag.

Të falënderoj shumë miq të tjerë që takova aty nga fondacioni Adenauer, që kanë ndihmuar e ndihmojnë, japin ndihmën më të çmuar për PD-në.

Pra, ua thashë edhe njëherë, udhëtimi im ishte udhëtim drejt fitores.

Dhe unë kam bindjen se mbështetja e CDU për PD-në, parti që ka prioritet kryesor marrëdhëniet me CDU-në, do jetë një energji që shtyn para demokratët shqiptarë drejt fitores.