Milani këmbëngul për Joao Felix, sot është dita vendimtare e ‘operacionit’
Joao Felix është objektivi kryesor i Milanit në ditën e fundit të merkatos së dimrit.
Portugezi dëshiron të veshë fanellën kuqezi dhe menaxheri i tij, Jorge Mendes, mbrëmë ka shkuar nga Italia për në Angli për të biseduar direkt me drejtuesit e Chelseat për sulmuesin.
Tashmë menaxheri i njohur e ka zhvilluar takimin e parë për të arritur deri te nënshkrimi.
Sot ai do të insistojë. Do të ketë kohë deri në mesnatë kur të mbyllet afati i merkatos.
Një “operacion” jo fort i lehtë, por është më afër se kurrë më parë që të realizohet.
Ish-futbollisti i Atletico Madridit, i cili i ka zhvilluar vetëm tri ndeshje si titullar në Premierligë me “Blues” në këtë sezon, dëshiron të ndërrojë mjedis.
Kuqezinjtë e vlerësojnë shumë përfaqësuesin portugez, por nuk janë të gatshëm të harxhojnë shumë para për të.
Mendes është në presion: dëshiron ta gjejë gjuhën e përbashkët mes dy klubeve dhe ta plotësojë dëshirën e klientit të tij për t’u larguar nga ekipi i Enzo Marescas.
Milani e do lojtarin në formë huazimi deri në fund të sezonit dhe mbetet të shihet nëse do të ketë marrëveshje sot për ta parë Joao Felixin me fanellën kuqezi.
