“LUFTA” PËR INTELIGJENCËN ARTIFICIALE! “Alibaba” nxjerr modelin që thotë se ia kalon edhe DeepSeek
Zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale, veçanërisht nga kompanitë kineze kanë nxitur një garë globale për përmirësimin e modeleve dhe uljen e çmimeve. Kompania "Alibaba" lancoi një variant të përmirësuar për të cilin thotë se është më i mirë edhe DeepSeek, shumë të vlerësuar javët e fundit
Inteligjenca Artificiale arriti një nivel të ri!
Kompania kineze e teknologjisë Alibaba publikoi të mërkurën një version të ri të modelit të saj të inteligjencës artificiale Qwen 2.5, duke pretenduar se ai tejkalon modelin shumë të vlerësuar DeepSeek-V3.
Lancimi në ditën e parë të Vitit të Ri Hënor ,kur shumica e kinezëve janë me pushime pranë familjeve të tyre, tregon presionin që ka krijuar ngritja e shpejtë e startup-it kinez të AI DeepSeek në tre javët e fundit, jo vetëm ndaj rivalëve ndërkombëtarë, por edhe ndaj konkurrentëve të tij vendas.
"Qwen 2.5-Max tejkalon pothuajse në të gjitha aspektet GPT-4o, DeepSeek-V3 dhe Llama-3.1-405B," njoftoi kompania Alibaba duke iu referuar modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale nga OpenAI dhe Meta.
Lancimi i ndihmësit me Inteligjencë Artifickale të DeepSeek më 10 janar, si dhe publikimi i modelit R1 më 20 janar, tronditi Silicon Valley-n dhe shkaktoi rënie të aksioneve të kompanive të teknologjisë.
Kostoja e ulët e zhvillimit dhe përdorimit të modeleve të DeepSeek ka bërë që investitorët të vënë në dyshim planet me shpenzime të larta të kompanive kryesore të AI në SHBA.
Por sukseset e DeepSeek kanë nxitur një garë mes konkurrentëve të saj vendas për të përmirësuar modelet e tyre të Inteligjencës Artificiale. Krahas përmirësimeve, gara është shtrirë edhe në uljen e çmimit për shërbimet.
Themeluesi enigmatik i DeepSeek, tha në një intervistë të rrallë për mediat kineze në korrik se startup-i "nuk i kushtonte rëndësi" luftës së çmimeve dhe se qëllimi kryesor ishte arritja e AGI inteligjencës së përgjithshme artificiale.
Presidenti Donald Trump e ka përshkruar teknologjinë e kompanisë kineze DeepSeek si një "thirrje zgjimi" për industrinë amerikane, duke theksuar nevojën që kompanitë amerikane të përshpejtojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale për të ruajtur konkurrencën globale.
Lufta ka nisur!


