UNHCR shtrëngon shpenzimet, pas ngrirjes së ndihmës nga Trump
Agjencia e OKB-së që ndihmon refugjatët, azilkërkuesit dhe njerëzit e zhvendosur me forcë brenda vendeve të tyre ka limituar ndjeshëm shpenzimet, pasi presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi një pezullim të ndihmës humanitare.
“Ndërsa ne jemi ende duke vlerësuar ndikimin e vendimit të administratës së re amerikane, duke përfshirë përjashtimet e mundshme, ne po zbatojmë një sërë masash paraprake të përkohshme për të zbutur ndikimin e kësaj pasigurie financimi”, tha një zëdhënëse e agjencisë së refugjatëve të OKB-së.
Gazeta britanike ”The Guardian” raportoi më herët se kreu i UNHCR-së Filippo Grandi kishte dërguar një email që udhëzoi stafin të ndalonte përkohësisht rekrutimin dhe udhëtimet ndërkombëtare.
”Grandi ndaloi gjithashtu porositë e furnizimeve të reja, përveç rasteve kur nevojitej për ndihmë urgjente”, raportoi gazeta. UNHCR-ja refuzoi të komentojë mbi emailin.
Shtetet e Bashkuara kontribuojnë rreth një të pestën e buxhetit të organizatës, e cila ka rreth 20 000 punonjës dhe kujdeset për më shumë se 120 milionë refugjatë në mbarë botën. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara i pagoi UNHCR-së pak më shumë se dy miliardë dollarë.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi ngrirjen e përkohshme të ndihmës së huaj të dielën, por ka konfuzion në Uashington dhe jashtë tij se cilat programe preken.
