FAMILJET PO RIBASHKOHEN NË PAQE! Mijëra palestinezë rikthehen në Gazën e shkatërruar nga lufta

Familjet palestineze po ribashkohen për herë të parë pas muajsh ndarje për shkak të luftës ndërsa po rikthehen në Gazan e Veriut.. Armëpushimi ka sjellë shpresë se do rindërtojnë sërish shtëpitë e rrënuara

Ky është momenti kur kjo grua përqafon për herë të parë vajzën dhe nipërit e saj pas 15 muajsh ndarje për shkak të luftës në Gaza!

Një nga mijëra familje palestineze që po bashkohen në paqen e mundësuar pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.

“Nuk i kam parë për 15 muaj. Më kanë munguar aq shumë, aq shumë”, tha ajo për Reuters.

Në Gazën Veriore qindra mijëra njerëz të zhvendosur që po ktheheshin nga jugu kërkojnë anëtarë të mbijetuar të familjes dhe po zbulojnë pasojat e luftës

Sulmi ushtarak masiv i Izraelit i nisur si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ishte më i ashpër në veriun e Gazës sesa në çdo pjesë tjetër të këtij territori të vogël bregdetar, dhe civilët atje u urdhëruan vazhdimisht të largoheshin.

Asnjëri prej atyre që u larguan nuk u lejua të kthehej në veri deri të dielën,  një kusht i marrëveshjes së armëpushimit të arritur më herët këtë muaj.

Mijëra burra, gra dhe fëmijë shihen me pako të mëdha në shpinë ose në duar si dëshmi që vijnë nga një udhëtim i detyruar që ka zgjatur për muaj me radhë

Pavarësisht lehtësimit nga ribashkimi, ndërtesat e shkatërruara në sfond tregonin se sa e vështirë do të jetë rimëkëmbja e familjes.

Shumica do të jetojnë në tenda dhe kushte minimale të munguara.

"Shkatërrimi nuk është problem. Gjëja e rëndësishme është që ata mbetën gjallë, falë Zotit. Ne do të jetojmë në një tendë. E rëndësishme është që ata janë gjallë," thotë gruaja që rigjeti familjen.

Një fazë e dytë, e paktit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit që parashikon lirimin e  60 pengjeve, si dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza, pritet të fillojë deri të martën e ardhshme. Nëse do të përmbyllet me sukses, mund të pasojë një fund i plotë i luftës.

Kjo gjithashtu do të hapte rrugën për bisedime mbi rindërtimin e Gazës, tashmë kryesisht e shkatërruar pas luftës që vrau pothuajse 47,000 palestinezë, sipas të dhënave.