150 mijë dosje, stoku, Xhixho: Harta e re gjyqësore ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se janë 150 mijë dosje të bllokuara në pritje të shqyrtimit.

“Ky është “suksesi” i madh i hartës së re gjyqësore, që ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të marrë drejtësi.

Ky stok kaq i madh dosjesh tregon se reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësore dhe të shpejtë për qytetarët.

● Rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afatit të procesit të rregullt ligjor, ndërsa për të shqyrtuar një dosje, duhet katërfishi i kohës që kërkohej para implementimit të kësaj reforme.

● Gjykatat janë ende te çështjet e vitit 2016, ndërkohë që shumë qytetarë ndërrojnë jetë pa e marrë kurrë drejtësinë që presin.

● Sot gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet. Në vend që të shkurtohej, koha për shqyrtimin e një dosjeje është katërfishuar.

● Në gjykatat e shkallës së parë për të marrë drejtësi, një qytetari i duhen të paktën 2 vite

Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite

Në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite

Pra, janë minimumi rreth 12 vite për një proces që kalon në të tre shkallët e gjyqësorit.

Pjesa më e madhe e dosjeve që ngecin në rrjetën e vështirë të sistemit gjyqësor janë çështje civile.

Kjo drejtësi që ecën me ritmin e breshkës, duke u bërë kosto e jashtëzakonshme për qytetarët dhe bizneset.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar!”, shprehet Xhixho.