VIDEO/ Gjithçka gati në Katedralen Ortodokse për funeralin e Kryepeshkopit Anastas

Mëngjesin e sotëm, trupi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos mbërriti në Kakavijë, ku pati një ceremoni nderimi. Besimtarë të shumtë, banorë të Dropullit dhe personalitete, kishin dalë ta prisnin arkëmortin që në pikën e kalimit kufitar. Kortezhi më pas kaloi në rrugën nacionale, pranë fshatrave minoritarë dhe në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Gjirokastër u mbajt një meshë.

Kortezhi tashmë është nisur drejt kryeqytetit dhe në orën 16:00 pritet që të mbërrijë në Tiranë.

Burime të Kishës Ortodokse Shqiptare thanë se janë marrë masat që arkëmorti ta përshkojë rrugën prej Bankës së Shqipërisë e deri brenda katedrales, mbajtur mbi supe. Ky segment rruge do të përshkohet nga besimtarët, autoritetet kishtare si dhe banda e bashkisë.

VIDEO/ Gjithçka gati në Katedralen Ortodokse për funeralin e

Me vendosjen e trupit të Kryepeshkopit Anastas, në Katedralen Ortodokse, do të nisin homazhet, më vonë liturgjia deri në orët e para të ditës së mërkurë si dhe përshpirtjet.

VIDEO/ Gjithçka gati në Katedralen Ortodokse për funeralin e

Pritet që të mbërrijnë në Tiranë patriarkët më të rëndësishëm të Kishës Ortodoske: Patriarku i Stambollit Bartolomeu; Patriarku i Jerusalemit Theofili; Patriarku i Bullgarisë Danil; Patriarku i Aleksandrise Theodore; Kryepeshkopi i Qipros Jorgos dhe Kryepeshkopi i Athinës Jeronimi.

Shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Shërbesa e funeralit që zakonisht zgjat nga 40 minuta deri në 1 orë, në këtë rast është e paparashikueshme, për shkak se përveç Patriarkut të Kishës Ortodokse, pritet të marrin pjesë me fjalime edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ashtu edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Trupi i Kryepeshkopit Anastas do të prehet në kriptën brenda katedrales që ai vetë ishte nismëtari për ta ndërtuar. Nga Kisha e Shqipërisë është shpallur pesë ditë zie nga data 25 deri më 29 janar 2025.