Sot, 89-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, Begaj e Spiropali përkujtojnë veprën e gjeniut të letrave shqipe
Më 28 janar të vitit 1936 lindi Ismail Kadare, nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare. Sot, poeti e prozatori i madh do të kishte mbushur 89 vjet.
Ismail Kadare është një ndër personalitet qendrore të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Ai lindi në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm.
Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.
Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.
“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “ Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.
Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Ne vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati I shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.
Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera.
Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, u nda nga jeta më 01 Korrik 2024.
Mesazhi i Presidentit

Presidenti Bajram Begaj, vlerësoi sot veprën e shkrimtarit Ismail Kadare si një dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve dhe identitetin evropian.
Në një mesazh në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Iamail Kadare, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.
“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore. Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste. Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.
Mesazhi i kryetares së Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka kujtuar gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, në ditën e tij të lindjes.
Në një mesazh në 89-vjetorin e lindjes së Kadaresë, i cili ndërroi jetë më 1 korrik të 2024, Spiropali tha se “gjeniu ynë Kadare, ai që e mbajti qiririn ndezur, i shkroi të gjithë librat, i përktheu në të gjitha gjuhët, i mori të gjitha çmimet, ia bëri vendit të gjitha nderimet, ia kreu të gjitha shërbimet, sot ka Ditën e Lindjes”.
“Kujtojmë në këtë ditë kolosin tonë humanist, kulturor, patriotik. Sot e mot e përgjithmonë i paharruar në zemrat tona, në mendjen tonë, në kujtesën tonë, më i madhi dhe më i ndrituri ynë. Fjalët me zor i gjejmë. Fryma s’na mjafton. Na duhesh. Ngreu, dhe kthehu, prej atje ku je, ku përkohësisht ke shkuar”, shkruan Spiropali në një postim në rrjetet sociale.



