MBI 80 MIJË APLIKIME/ “11 maji”, shqiptarë edhe nga Meksika dhe Ekuadori kërkojnë të votojnë
Në platformën PER të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth 80 mijë emigrant kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Ndonëse dominojnë Italia, Greqia dhe Gjermania, fletën e votimit e kërkojnë dhe shqiptarë nga Meksika apo Ekuadori.
Deri më 27 janar 83 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kanë shprehur vullnetin e tyre për t’u bërë pjesë e listave të zgjedhësve për garën parlamentare të 11 majit.
Emigrantët nga Evropa, SHBA dhe jo vetëm kanë aplikuar nëpërmjet platformës PER të KQZ, ku deri më tani janë pranuar rreth 50 mijë kërkesa.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve data 19 janar ka qenë dhe piku me plot 8000 aplikime.
Data me numrin më të ulët të kërkesave ka qenë në datën 14 janar me vetëm 3500 shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë dhe kërkojnë të votojnë.
Sa i përket shteteve nga ata vijnë, Itali, Greqia dhe Gjermania zënë tre vendet e para, ndërsa SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar nuk mbeten pas.
Megjithatë kemi dhe vende si Meksika ku 7 shqiptarë kanë vënë të dhënat e tyre në platformën PER.
Madje dhe në vende si Ekuadori, ndonëse me vetëm 1 aplikim, KQZ do të dërgojë fletën e votimit.
Procesi i regjistrimeve ka nisur të datën 11 janar dhe do të përfundojë në datën 4 mars. Por si do të veprohet në rast refuzimi?
Në platformën shënohet rreth 20 mijë refuzime ndërsa më herë Kryekomisioneri Celibashi është shprehur se gabimi kryesor që bëhet gjatë regjistrimit ka të bëjë me adresën e saktë.
Ndonëse shifra që shfaqet në ekran është e lartë, shqiptarët e diasporës kanë të drejtën të riaplikojnë disa herë deri në afatin e fundit.

