Alimehmeti: Veliaj duhej arrestuar, kontrolloi gjendjen civile për të gjetur dëshmitarin

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti duke folur në protestën para bashkisë së Tiranës, u shpreh se Erion Veliaj duhej arrestuar sapo doli nga SPAK, pasi kërkoi në gjendjen civile personin që e kishte denoncuar, me qëllim që të prishte provat.

Sipas Alimehmetit, Rama nuk e ka lëshuar ende Veliajn, pasi edhe ky i fundit ka dosje për kryeministrin.

''Erdhi në këshillin e fundit të vitit të kaluar, i freskët nga SPAK Erion Veliaj dhe erdhi e tha do flas para këshillit bashkiak. Këshilli nuk është një vend ku ai të bëjë rrëfime dhe ta përdorë për veten e vet.

Të bëjë çtë dojë, në konferencë apo vend tjetër. Aty është vendi për të folur për Tiranën dhe problemet e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka problem.

Foli, por çfarë na tha; na tha praktikisht me një zë, se pse nuk po më arrestoni tani në moment.

Ja tha SPAK-ut, ja tha shtetit, medieve, të gjithave. Shkoi dhe tha një emër, a e mbani mend atë Nesti Angonin.

Pra ky si kryetar bashkie në detyrë, gjëja e parë që bëri sapo doli nga SPAK, kontrolloi gjendjen civile për të gjetur dëshmitarin që i paska dërguar këto letra.

Për ca e kërkoi dëshmitarin, për ti thënë faleminderit, apo për të prishur provat.

Ai në atë moment i thotë shtetit, hapeni këtë derëm më arrestoni se unë po tentoj të prish provat dhe po përdor këtë platformë publike që është Këshilli Bashkiak për të treguar se, unë dua ti prish provat.

Të jetë i qetë, nuk e ka Nesti Angonin mes jush, se ne nuk jemi anonim, jemi përballë. E ka brenda vetes.

Thotë popullit ‘e njeh shejtani, lugatin’. E di shumë mirë se kush po ja bën, se kush po ja heq njerëzit një e nga një.

E di shumë mirë një VKM 784. Doli në 18 dhjetor të vitit të kaluar, 2024, pasi kishin nisur këto hallet e mëdha këtij zotërisë. Praktikisht qeveria, Balluku i merr gjithë lejet e ndërtimit edhe Tiranës. E zhveshën edhe nga detyrat.

E gjithë Tirana tani duhet të shkojë të marrë leje përpara tek Balluku, tek ai Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Pse e bën këtë, për ta vendosur në cep, për ti hequr çdo fuqi, çdo njeri. E ka hequr nga fushata e ka hequr nga gjithçka.

E vetmja arsye pse e mban aty, është se ky ka dosje për këta të tjerët dhe shkojnë me emra anonimë. Mbajnë njëri-tjetrin  nën këtë rrisk dhe kërcënim që edhe unë kam dosje për ty dhe ti ke dosje për mua.

Qeverisemi nga një tufë shenjtash dhe lugatash dhe deri sa ti largojmë këta, nuk gjen paqe ky vend’, tha Ilir Alimehmeti tek protesta para bashkisë së Tiranës''.