Kodimi në shkolla, Muzhaqi: Nxitje ideve krijuese në fushën e teknologjisë

Nxënësit e klasave të pesta të shkollës “Ptoleme Xhuvani”, në Elbasan tashmë kanë një laborator inteligjent dhe një hapësirë moderne mësimi, e cila përdoret nga të gjithë nxënësit e shkollës. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi vizitoi këtë shkollë, ku u takua me nxënësit.

“Diskutuam mbi rëndësinë e mësimit të aftësive kompjuterike, si domosdoshmëri për të zhvilluar projektet dhe idetë e tyre nëpërmjet TIK-ut dhe për më tepër mundësi për të ardhmen”, tha Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Muzhaqi u tregoi nxënësve rreth projekteve për zgjerimin e Programit të Kodimit në Shkolla, për të vijuar me hapat e parë drejt kodimit si edhe zhvillimin e aftësive të mendimit kritik dhe nxitjen e ideve krijuese në fushën e teknologjisë.

Kodimi në shkolla ka filluar zbatimin në vitin 2022. Aktualisht po zbatohet në klasat e para të 300 shkollave publike dhe 40 shkolla jopublike në Shqipëri. Ndërkohë, projekti po pilotohet për klasat e dyta në rreth 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë, të pajisura të gjitha me laboratorë inteligjentë. Mësuesit që japin lëndën trajnohen rregullisht për të qenë të përditësuar më metodat e posaçme didaktike që kjo lëndë kërkon.