Zjarri “përpin” pallatin! Shkrumbohet apartamenti e disa zyra, zjarrfikësit izoluan flakët. Goxhaj: Ja çfarë e shkaktoi

Një godinë zyrash u përfshi nga flakët në zonën e Komunës së Parisit. Një apartament dhe disa zyra u shkrumbuan ndërsa zjarrëfikësit arritën ta izolojnë vatrën në kohë.

Kjo javë nisi me zjarr në Kryeqytet. Këto janë pamjet e një godine zyrash në zonën e Komunës së Parisit që u përfshi nga flakët vetëm një orë përpara mesditës.

Flakët ranë në katin e katërt të pallatit, ndërsa vetëm disa minuta më vonë u përfshinë edhe tre katet e mësipërme.

3 ekipe zjarrfikësesh dhe 3 automjete punuan për shuarjen e flakëve, një punë e cila zgjati për rreth një orë e 30 minuta.

Jashtë ambienteve të godinës qëndronin banorët dhe punonjësit e zonës të cilët u evakuuan që në minutat e para. Pranë tyre ishin dhe ambulancat.

Pas shuarjes së flakëve, Shefi i Departamentit të Zjarrfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj shpjegoi dhe zanafillën e ngjarjes.

Prioritet kryesor sipas Goxhajt ishte evakuimi i banorëve.

Theksoi se gjatë stinës së dimrit situata me flakët në godinat e banimit apo zyrat bëhet problematike.

Apeloi që qytetarët të tregojnë kujdes me pajisjet e ngrohjes dhe gatimit.

Pas punës së zjarrfikëseve nisën dhe hetimet për të zbuluar se çfarë e shkaktoi atë.