"Më ngacmonte gruan"/ Vrau 81-vjeçarin, zbardhet dëshmia e Isuf Hasës: E godita me çekiç!
Zbardhet dëshmia e Isuf Hasës, autorit të dyshuar për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall-Bastar të Tiranës.
Xhemal Mata dhe Isuf Hasa, fqinj me njëri-tjetrin në zonën Shëngjin i Vogël e kishin lënë së bashku që të dielën e 12 janarit të merrnin furgonin dhe të vinin në Tiranë. Por një konflikt banal bëri që udhëtimi i tyre të lihet në mes.
Hasa prej mëngjesit kishte shkuar në banesën e Matës dhe të dy së bashku kanë dalë deri tek porta e shtëpisë së viktimës, ku në një çast Hasa e ka goditur më një çekiç në pjesën e kokës 81-vjeçarin.
Sipas rrëfimit në polici, 64-vjeçari Isuf Hasa ka treguar se fqinji i tij Mata i ngacmonte bashkëshorten dhe se ditën e diel ia kishte shprehur si shqetësim, por ai fundit ia kishte kthyer në mënyrë arrogante çka bëri që ta qëllonte në çekiç kokës.
Pasi e ka goditur, Isuf Hasa i ka marrë nga portofoli një shumë prej 200 mijë lekësh të reja që besohet se viktima i kishte fituar nga shitja e bagëtive.
Pasi ai ka marrë paratë është nisur në drejtim të Tiranës dhe më pas me një makinë në drejtim të Vorës ku ka fshehur lekët dhe çekiçin.
“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty, vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit.
Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte.
Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi.
Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: “si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot.
Pasi e vrava, i mora lekët. E dija që kishte sepse m'i kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”.
Burime nga policia tregojnë se Isuf Hasa është shoqëruar edhe pas ngjarjes dhe është lënë i lirë qëllimisht nga policia, ndërsa fillimisht mohonte të kishte lidhje me ngjarjen.
Metodat speciale të hetimit zbuluan se ai është autor pasi në përgjimet ambientale fliste për konfliktin që ai ka pasur me 12 janar me viktimën. Por më pas, nëpërmjet edhe provave, agjentët shkuan për ta arrestuar. Këtë herë, ai u prangos në shtëpinë e tij, në Zall-Bastar.


