Portieri i kombëtares sonë kuqezi ndryshon sërish klub, huazohet te FC Kaiserslautern

Transferimi i parë i dimrit për sezonin 2024-2025 ndër legjionarët kuqezinj është fakt i kryer. Simon Simoni do të zgjerojë numrin e portierëve të FC Kaiserslautern, skuadër gjermane e Bundesligës 2. Nga disa e sotme, 20-vjeçari shqiptar, pjesë e kombëtares kuqezi të drejtuar prej Sylvinhos, kalon në formë huazimi nga Eintracht Frankfurt, ekip i Bundesligës 1, në Pfalz.

I lindur dhe rritur në Shqipëri, Simon Simoni i hodhi hapat e tij të parë futbollistikë në atdhe. Ai e nënshkroi kontratën e parë profesionale në vitin 2021 me klubin shqiptar FK Dinamo Tirana. Në janar 2023, portieri i kombëtares U-21 të Shqipërisë asokohe kaloi tek Eintracht Frankfurt dhe u huazua gjatë verës së kaluar te FC Ingolstadt 04. Pas përfundimit të parakohshëm të këtij huazimi, FCK tani ka siguruar shërbimet e këtij portieri të talentuar, që është 1.95 metra i gjatë.

"Ne gjithmonë kemi theksuar se do të donim të kishim një portier tjetër në skuadër për të forcuar konkurrencën. Me Simon gjetëm plotësisht kompletimin e duhur, pasi ai është një portier i ri, i talentuar dhe me mundësi zhvillimi, i cili, megjithatë, ka grumbulluar shumë eksperiencë në nivele të larta, pavarësisht moshës së re”, – komentoi drejtori i FCK, Thomas Hengen, për huazimin e shqiptarit.

“FCK është një klub i madh, me tifozë të mrekullueshëm, ndaj jam shumë i lumtur që munda të vija këtu. E shoh si mundësi optimale këtë eksperiencë, për të hedhur hapat e ardhshëm në zhvillimin tim, në një nivel të lartë. Do të jap më të mirën time për ta ndihmuar ekipin", – u shpreh Simon Simoni për kalimin te FCK.