Fushata zgjedhore në Kosovë/ Hoxha: Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë shenja të organizimit të dobët, nuk kanë akoma një program politik

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype", ishte analisti Ylli Hoxha, për të folur për fushatën zgjedhore në Kosovë dhe zgjedhjet e 9 shkurtit.

"Duke qenë pjesë e organizimeve zgjedhore si anëtar shtabi në disa prej fushatave të kaluara e di shumë mirë se sa e vështirë është kjo pjesa e fushatës për organizatorët.

E shtuna ishte ditë me borë, u gdhi me sasi të mëdhaja bore në gjithë Kosovën, me vështirësi komunikacioni.

E rëndoi ditën e shtunë. U organizuan tubimet me një nuancë shkëlqimi më të madh të dy subjekteve opozitare, LDK dhe PDK. 

Këto tubimet tek ne janë pak bajate se ndodhin njësoj. Në Prishtinë janë dy salla ku mund të bësh tubime elektorale të tilla dhe mendoj se arsyeja e vetme pse 'Lëvizja Vetëvendosje' vendosi të shkojë në Gjakovë është se ka shkuar me vonesë për të bërë rezervimin dhe ato ishin zënë nga lidhja demokratike. Kanë dhënë shenja të organizimit më të dobët, që nga lista. I vetmi subjekt që nuk ka akoma një program politik", u shpreh Hoxha.