SERBIA PENGON KËRKIMET/ Të zhdukurit e luftës në Kosovë, peng i burokracive serbe dhe vullnetit politik
Serbia vazhdon të refuzoj që të dorëzoj te Kosova të dhënat nga arkivat që do të ndihmonin në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës nga forcat serbe.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, kritikoi mungesën e gatishmërisë së palës serbe për të ofruar të dhëna nga arkivat, duke penguar përparimin e kërkimeve.
“Përkundër sfidave të mëdha, e që mbi të gjitha edhe gjatë këtij viti puna dhe angazhimi ynë është sfiduar me mungesën e informacioneve të besueshme , që ndërlidhet, si rezultat edhe i një politizimi të skajshëm të këtij procesi nga institucionet e Serbisë, me mungesën e gatishmërisë së palës serbe, për të vë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre, si dhe duke prolonguar e pamundësuar vazhdimin e vlerësimeve apo fillimin e gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara brenda territorit të Serbisë”, ka thënë Gara.
Megjithatë, ai vlerëson se përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtim të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, janë bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur.
Në vitin 2024, janë realizuar mbi 33 operacione dhe aktivitete në terren, duke përfshirë 23 lokacione në Kosovë. Koordinimi i vazhdueshëm me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe sektorin për personat e zhdukur, sipas tij ka mundësuar përparim në vlerësimet dhe kërkimet.
“Me qëllim të një koordinimi më të mirë dhe funksionimit si një ekip, krahas takimeve të KQPZH-së, kemi vazhduar me praktikën e takimeve të rregullta me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Sektorit për Persona të Zhdukur kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në veçanti në adresimin e informatave dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme në terren. Gjatë vitit 2024, janë realizuar më shumë se 33 operacione apo aktivitete fushore. Përfshirë 23 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kuptim të gërmimit vlerësues, që ndërlidhen me procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”, tha Gara për Ekonomia Online.
Gjatë dy takimeve, delegacioni ka paraqitur rreth 20 kërkesa për prioritetizimin e rasteve dhe lokacioneve, duke përfshirë kërkesa për qasje në arkiva dhe vazhdimin e vlerësimeve në lokacione si Batajnica, Bajna Bashta, Surdulica, Kozareva dhe rastet e zhdukjes si Masakra e Tërnjes dhe rasti i Intelektualëve.
Nga 38 identifikimet e reja, përfshihen 26 identifikime të viktimave që ishin, gjatë vitit 2024, në Listën e Personave të Zhdukur.
