Gonzato takim me Bogdanin: Diskutim mbi sfidat e KLP në kuadër të procesit të integrimit në BE

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot pas një takimi me Mirela Bogdanin, kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë se “një sistem gjyqësor efektiv, i përgjegjshëm dhe i pavarur mbetet kyç për të ardhmen e vendit në BE”.

Ambasadori Gonzato njoftoi në rrjetet sociale se u takua me Mirela Bogdanin, kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, siç u shpreh ai për të diskutuar mbi prioritetet dhe sfidat e Këshillit në kuadrin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht standardet për Kapitullin 23, që mbulon gjithashtu gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

“E përgëzova KLP-në për përpjekjet e tyre për të rritur cilësinë në dhënien e drejtësisë për qytetarët shqiptarë dhe njëkohësisht kërkova dyfishimin e këtyre përpjekjeve”, theksoi Gonzato.

“BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Këshillin e Lartë të Prokurorisë në përditësimin e praktikave në përputhje me reformën e vitit 2016 dhe standardet evropiane, gjithashtu promovimin e koordinimit të ngushtë midis të gjitha institucioneve të drejtësisë”, përfundoi Gonzato.