ILD hetim disiplinor ndaj prokurorit në Sarandë, kërkon “Ulje page në masën 40% për 1 vit”

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, bazuar në ankesën e një qytetareje, të paraqitur përmes formularit online në faqen e ILD-së, për zvarritje të hetimit të procedimit penal dhe hetuar për shkelje disiplinore.

Sipas ILD, “hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë konkludoi se: nga ana e prokurorit K. Ll. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

“Nga ana e prokurorit nuk janë përmbushur detyrimet për të ndërmarrë në kohë veprime aktive dhe shteruese në përputhje me urdhërimet e vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake. Në analizë të veprimeve e mosveprimeve, duhet nënvizuar se ky është një rast i izoluar i prokurorit, por qëndrimi i tij edhe gjatë hetimit, evidenton faktin që me dashje magjistrati nuk i është bindur një vendimi gjyqësor detyrues për të, si dhe kjo mosbindje është reflektuar në mungesën e veprimeve të prokurorit në lidhje me çështjen hetimore. Kodi i Procedurës Penale jo pa shkak ka parashikuar seancat paraprake, për të bërë të mundur kontrollin ligjor të veprimeve të prokurorit, pavarësisht bindjes së tij të krijuar gjatë hetimit të çështjes dhe duke përcaktuar detyrimin e prokurorit të zbatojë vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake, aq më tepër kur ky vendim është lënë në fuqi dhe nga gjykata më e lartë”, njofton ILD.

ILD bën të ditur më tej se “mosveprimet e prokurorit janë kryer me dashje direkte, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2-vjeçare, e duke e çuar ndjekjen penale në parashkrimin e saj”.

“Si pasojë e shkeljes disiplinore të kryer nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor është cenuar prestigji i figurës së prokurorit dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia”, shton më tej ILD.

Sipas ILD-së, “sjellja e papërshtatshme nuk shtrihet vetëm tek magjistrati subjekt hetimi disiplinor, por rrezikon të ndiqet si shembull nga magjistratë të tjerë, duke krijuar terren për sjellje të papërshtatshme dhe në raste të tjera të ngjashme”.

ILD nënvizon se “vlerësohet se veprimet/mosveprimet e prokurorit K. Ll., përbëjnë “Shkelje të rëndë disiplinore” dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, marrjen e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës” në masën 40% për një afat njëvjeçar ndaj prokurorit K.Ll.”.