Gripi i shpendëve/ OBSHK kërkon më shumë kontroll ndaj kafshëve

Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OBSHK), deklaroi sot se duhen bërë më shumë  kontrolle ndaj kafshëve, për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve.

Ky paralajmërim, vjen pas vdekjes së një pacienti nga ky virus, në Shtetet e Bashkuara .

Gripi i shpendëve është përhapur në mbarë botën vitet e fundit, duke zhdukur tufa të tëra, duke rritur çmimet e ushqimeve dhe duke ngritur shqetësime për rrezikun e një pandemie të re.

"Kjo situatë vërteton rëndësinë e menaxhimit të rrezikut në burimin e saj, te kafshët , gjë që është vërtet e nevojshme për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve dhe transmetimin e tij të mundshëm te njerëzit." tha drejtoresha e përgjithshme e OBSHK, Emmanuelle Soubeyran .

Soubeyran bëri thirrje për më shumë investime në monitorimin e virusit tek zogjtë dhe kafshët e egra për të parandaluar një shpërthim të paprecedentë të ndonjë pandemie të mundshme.

“Nëse nuk jemi në dijeni të situatës, njerëzit kanë më shumë gjasa të infektohen dhe virusi do të jetë në gjendje të qarkullojë midis shpendëve, derrave, lopëve dhe kafshëve të egra. Pra, mund të ketë një mutacion (të virusit) dhe ndoshta të krijojë një pandemi. ”, shtoi ajo.

Gripi i shpendëve zakonisht transmetohet nga zogjtë e egër shtegtarë tek kafshët shtëpiake dhe fermat blegtorale dhe, në disa raste, te njerëzit, kryesisht fermerët.

Emmanuelle Soubeyran përsëriti gjithashtu, thirrjet për përdorim më të gjerë të vaksinimit , përveç masave të kontrollit, për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Nëse vaksinimi përdoret si duhet, ai do të reduktojë qarkullimin e virusit dhe në këtë mënyrë ekspozimin e njeriut ndaj rrezikut. ”, tha ajo.

Eksportuesit kryesorë të mishit dhe shpendëve , përveç Francës, ngurrojnë të vaksinojnë zogjtë , nga frika se vendet e tjera do ta interpretojnë këtë si një pranim të problemit dhe do të vendosin kufizime tregtare./ Kathimerini