Zhdukja e dy britanikëve në alpet e Italisë, gjendet një trup i pajetë, dyshohet se i përket 35-vjeçarit

Kërkimet për dy alpinistë britanikë të zhdukur në Dolomitet e Italisë kanë çuar në zbulimin e një trupi. Dyshohet se trupi i pajetë i gjetur besohet të jetë i njërit prej dy burrave. Lajmin për gjetjen e trupit e ka konfirmuar Shërbimi Italian i Shpëtimit të Alpeve. 

Dy alpinistë, 36-vjeçari Aziz Ziriat dhe 35-vjeçari Samuel Harris nga Londra dhanë shenja jete për herë të fundit më 1 janar, duke dërguar mesazhe nga rajoni Trentino në veri të Italisë. Ata nuk u paraqitën kurrë për fluturimin e tyre të kthimit më 6 janar. Ekipi i shpëtimit gjeti trupin e pajetë pasi rifilloi kërkimin mëngjesin e së mërkurës, duke përdorur një helikopter. Autoritetet besojnë se kufoma i përket 35-vjeçarit. Zbulimi u bë në një lartësi ku për herë të fundit u regjistrua një sinjal nga celulari i njërit prej dy burrave.

Vihet re se të mërkurën, çantat e shpinës dhe pajisjet e tyre u gjetën në një kasolle që dyshohet se e kishin përdorur përkohësisht. Është kontrolluar edhe zona mes kasolles dhe majës së një mali aty pranë, por nuk u gjet asnjë gjurmë. Në të njëjtën kohë, familjarët e tyre kanë mbërritur në Itali, ku po monitorohen nga psikologët.

Partnerja e Ziriatit, Rebecca Dimock, tha se 2 burrat kanë përvojë në ecje. Sipas saj ata donin të bënin një shëtitje të Vitit të Ri. Ajo e kishte kontaktuar për herë të fundit Ziriatin ditën e Vitit të Ri kur ai i dërgoi fotot e peizazhit përpara se celulari i 36-vjeçarit të humbiste sinjalin. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjeve që çuan në ngjarjen tragjike.