Trump: Takimi me Putinin është i mundur pas betimit

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se ka në plan të diskutojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Duke folur në një konferencë shtypi në Mar-a-Lago në Florida, Trump sugjeroi se një takim i tillë mund të zhvillohet, pasi ai të marrë detyrën më 20 janar.

I pyetur nga një gazetar për kohën e diskutimit të mundshëm, ai u përmbajt të jepte një datë specifike, por tha se “unë e di që Putini do të donte të takohej me ne”.

Trump gjithashtu shprehu shpresën se lufta do të përfundonte brenda gjashtë muajve.

”Shpresoj shumë më shpejt se gjashtë muaj”, shtoi ai.

Gjatë fushatës së tij, Trump shpesh lavdëroi marrëdhënien e tij me Putinin dhe pretendoi se ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orëve”, pa zbuluar asnjë detaj të këtij pretendimi.

Ukraina i ka rezistuar një pushtimi të plotë rus me ndihmën perëndimore për gati tre vjet.

Kievi ka frikë se kur Trump të marrë detyrën më 20 janar, ndihma amerikane do të reduktohet ndjeshëm.

Gjatë fjalimit të tij të Vitit të Ri, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Uashingtonit që të mos ndërpresë ndihmën për Ukrainën.