LISTA/ Karriget e arta të Elisa Spiropalit, 1 ulëse sa 1 dhomë gjumi, Kuvendi ua mban lekët nga rroga deputetëve "piromanë"
Kuvendi i Shqipërisë iu ka mbajtur një pjesë të pagës së tyre deputetëve të Partisë Demokratike, të cilet më datë 30 shtator 2024 shkaktuan akte dhune në parlament, duke dëmtuar karrige, pajisje dhe sisteme të ndryshme elektronike.
Duke qenë se ata vetë kanë refuzuar të kryejnë pagesë, shuma iu është mbajtur nga paga e muajve nëntor e dhjetor 2024.
JA DEPUTETËT QË U JANË NDALUR LEKËT NGA PAGAT
Elda Hoti 92.146 lekë
Bardhyl Kollçaku 40 000 lekë
Lindita Buxheli 1000 lekë
Bledjon Nallbati 93.728 lekë
Gazmend Bardhi 104.588 lekë
Flamur Noka 93.728 lekë
Sorina Koti 5000 lekë
Agron Gjekmarkaj 25000 lekë
Kujtojmë se deputetët e PD-së dogjën karriget e parlamentit më datë 30 shtator të vitit të kaluar, në shenjë proteste pasi Gjykata e Apelit dënoi kolegun e tyre Ervin Salianjin me një vit heqje lirie.
Pas këtij veprimi, më datë 1 tetor 2024, Kuvendi me anë të një njoftimi tha se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të vlerësimit, deputetët e përfshirë në akte dhune do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit financiar.
“Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhej në njoftimin e parlamentit më datë 1 tetor të vitit të shkuar.

