Meta nën arrest, Xhixho: Ish-presidenti po mbahet në izolim ekstrem në një vit elektoral, precedent i rrezikshëm!

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, e ftuar në studion e News24 ka komentuar mbajtjen nën arrest të kreut të PL, Ilir Meta. Ajo u shpreh se “izolimi ekstrem” i Metës në një vit elektoral përbën një precedent të rrezikshëm.

Xhixho shtoi se në momentin e arrestimit të Metës atij nuk i është treguar një urdhër gjykate dhe nuk i është dhënë as e drejta e avokatit nga efektivët që e ndaluan.

Ajo theksoi se procesi i rregullt ligjor duhet të jetë i padiskutueshëm, jo vetëm për Metën, por për të gjithë qytetarët.

Meta po mbahet në izolim ekstrem në një vit elektoral. Ky është një precedent i rrezikshëm, nuk u shfaq urdhri i gjykatës nga policët e maskuar, as iu dha e drejta e avokatit gjatë arrestimit.

Po flasim për ish-presidentin dhe kryeministrin e vendit. Procesi i rregullt ligjor është i padiskutueshëm sipas standardit evropian. Këtu po flasim për procedura që duhet të ndiqen ndaj çdo qytetari, jo vetëm për zotin Meta”, u shpreh ajo.