Xhixho: Buxheti 2025 nuk mbështet qytetarët, pensionistët, familjet në nevojë dhe të papunët, arsimin apo shëndetësinë
Zv presidentja e PL-së, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat u shpreh se qeveria nuk e ka prioritet arsimin dhe se buxheti i vitit 2025 nuk mbështet qytetarët, pensionistët, familjet në nevojë dhe të papunët, arsimin apo shëndetësinë.
Fjala e zv. Presidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho
Ky vit i ri nisi me një vlerësimin e parë negativ nga një raport ndërkombëtar. UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e cila konkludon në analizën e saj se Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve.
Raporti konstaton një përkeqësim progresiv të raportit mes shpenzimeve për arsimin me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto.
Në fakt, raporti i UNESCO-s nuk është gjë tjetër veçse një zë i shtuar në përpjekjen tonë, për faktin se sot arsimi është në emergjencë kombëtare.
Vetëm pak ditë më parë, buxhetit të pamjaftueshëm për arsimin, qeveria i hoqi edhe 700 milionë lekë. Shkurtimi i fondeve të arsimit, në një kohë kur shkollat dhe degët universitare po mbyllen me një ritëm dramatik, analfabetizmi funksional rritet nga dita në ditë dhe rezultatet në testet PISA vijnë vetëm duke u përkeqësuar, është prova më e qartë se për këtë qeveri, arsimi nuk ka qenë e nuk do të jetë prioritet ndonjëherë.
Gjatë vitit që lamë pas, arsimi në Shqipëri është financuar sa 2.29% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i të gjitha vendeve të Ballkanit dhe shumë larg premtimit mashtrim të qeverisë ne 2013 për 5%PPB.
Pagat e mësuesve, më të ulëtat në rajon, evidentohen në raportin e UNESCO -s. Ato janë arsyeja pse degët e mësuesisë po braktisen masivisht dhe vendi rrezikon të mbetet pa mësues brenda pak vitesh.
Raporti i UNESCO e vë theksin edhe te decentralizimi i iniciuar në vitin 2015, që e ndan përgjegjësinë e menaxhimit të shkollave mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkive. Ky decentralizim i dështuar ka sjellë si pasojë shkolla pa ngrohje edhe në mes të Tiranës, mësim me turne e mbingarkesë të stafeve pedagogjike.
Buxheti i vitit 2025 për arsimin vijon të mbetet po aq qesharak sa vitin e kaluar dhe rrjedhimisht nuk ofron zgjidhje për asnjërën nga shumë emergjencat që ka ky sektor jetik për vendin.
Qeveria nuk e ka prioritet arsimin as në 2025-n. Buxheti nuk mbështet investimet në arsim, madje ka cunguar një pjesë të tyre. Për vitin 2025, investimet do të jenë:
Arsimi bazë 0%
Arsimi i mesëm 0%
Arsimi i lartë -11.9%
Kërkimi shkencor -22.8%
Sporti 1.3%
Këtij injorimi total që qeveria i ka bërë arsimit, Partia e Lirisë iu përgjigj me amendimin e buxhetit në fund të dhjetorit.
Ne propozuam një rritje prej 6.2 miliardë lekësh për të tre nivelet e arsimit, kërkimin shkencor dhe sportin. Por amendamentet tona u rrëzuan sepse qeverisë, paratë i duhen për oligarkët dhe investitorët strategjikë.
Kjo qeveri që nuk i kursen paratë për tendera e koncesione, nuk e njeh dhe aq më pak ta adresojë rrënimin e arsimit.
* 58 mijë nxënës janë larguar në 5 vite nga Shqipëria.
* Në vitin 2024, shkollave të vendit u munguan mbi 2 mijë mësues.
* 47% e mësuesve nuk kanë njohuritë e duhura për të dalë përpara një klase me nxënës.
* 94% e mësuesve nuk kanë aftësi digjitale.
* Në shkollat e Shqipërisë ka vetëm 1 kompjuter për 20 nxënës, për të mos folur për shkollat në zonat e thella ku nuk ekzistojnë kabinetet e informatikës.
* Vetëm 5% e shkollave në vend kanë ëirelees
* Nga viti 2017 deri në vitin 2022 në të gjithë vendin janë mbyllur 202 shkolla publike, sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Arsimit.
Buxheti i vitit 2025 nuk mbështet qytetarët, pensionistët, familjet në nevojë dhe të papunët, arsimin apo shëndetësinë.
Ai është buxheti që u shërben oligarkëve, përfituesve të tenderave publikë e koncesioneve dhe investitorëve strategjikë.
Buxheti që lë shqiptarët pa para, pa shërbime shëndetësore dhe pa arsim e mori notën e parë negative që në ditët e para të vitit.
Ndaj më shumë se kurrë, sot na duhet një pakt kombëtar për arsimin.
Partia e Lirisë e ka rimëkëmbjen e arsimit një prej pesë prioriteteve të planit të saj.
Ne do të dyfishojmë buxhetin e arsimit, 5% e PBB do të jetë niveli dysheme, ku buxheti i arsimit do jetë i pari që do plotësojë të gjitha nevojat e tij.
Do të dyfishojmë fondet për kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Do të implementojmë sistemin e kateringut në kopshte dhe shkolla, sipas modelit të shtetit të Kosovës që sot e ka realitet dhe modelit europian.
Do të reformojmë kurrikulat me ekspertë të pavarur, larg çdo ndikimi politik.
Një theks i veçantë do t’u vihet lëndëve të edukimit qytetar, me synimin për të formuar individë që njohin të drejtat e detyrimet e tyre në shoqëri dhe din t’i mbrojnë ato, duke ndërtuar qytetarë të angazhuar me mendim kritik .
Ne do të dyfishojmë pagat e mësuesve duke i rikthyer dinjitetin këtij profesioni që në fakt është një mision, gjithashtu do të mbështesim financiarisht studentët që zgjedhin degët e mësuesisë.
Do të trajtojmë me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit për të përgatitur brezin e ri me sfidat e kohës.
Të gjitha këto masa, janë shumë të realizueshme kur ka vullnet politik dhe kur arsimi vihet në qendër të politikave kombëtare, sepse ne e shohim arsimin si mjetin me të cilin mund të luftohet efektivisht shpopullimi e të rimëkëmbet Shqipëria.


